E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: Aktivistët e Vetëvendosjes mbeten në burg

Prishtinë Aktivistë të të drejtave të njeriut vizitojnë të arrestuarit

Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës bënë të ditur se në paraburgim po vazhdojnë të mbahen 7 aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të arrestuar gjatë ditës së djeshme, në përpjekje për të arrestuar liderin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, tha se personat e ndaluar do të mbahen në paraburgim derisa të intervistohen dhe të merret një vendim nga prokurori. Ndërkaq, Glauk Konjufca, aktivist i lëvizjes “Vetëvendosje”, pohon se janë 6 pjesëtarë të kësaj lëvizjeje që vazhdojnë të mbahen në paraburgim, kurse i arrestuari i shtatë, tha Konjufca, nuk është pjesëtar i “Vetëvendosjes”. Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë bërë përpjekje që ta arrestojnë Kurtin gjatë një ceremonie varrimi dhe gjatë këtij operacioni, lëndime të lehta kanë marrë disa persona, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të policisë.

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka cilësuar këtë operacion të policisë si “të dhunshëm”. Forcat e rendit kanë marrë një urdhër-arresti për Albin Kurtin, për ta detyruar atë të paraqitet në seancën gjyqësore kundër tij, në ndërlidhje me protestat e 10 shkurtit të vitit 2007. Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut vizituan të ndaluarit, aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe policët e lënduar gjatë një përpjekjeje për arrestimin e Albin Kurtit, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të ndjerë, Ali Aliut, ka njoftuar nëpërmjet një komunikate KMDLNJ. Monitoruesit e KMDLNj-së fillimisht vizituan shtatë të ndaluarit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, pesë prej të cilëve ishin të lënduar. Sipas deklaratës së të ndaluarve, ai ishte lënduar duke u goditur me çizme nga policia gjatë arrestimit, si dhe është rrahur nga një civil në praninë e policit me nr.8131 në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë. Arsim Maçastena, gjithashtu i lënduar në këmbë gjatë arrestimit dhe më pas në veturën e policisë. Sipas tij, policia ia ka përplasur kokën tek xhami i autoburgut, duke i shkaktuar çarje të kokës. Frashër Krasniqi, i rrahur pas arrestimit gjatë marrjes në pyetje nga një oficer policie. Ka shenja të dukshme në duar dhe trup nga dhuna e ushtruar. Gëzon Kastrati, i rrahur gjatë arrestimit, por që sipas tij, në Qendrën e Ndalimit nuk është rrahur dhe Lirim Gashi, i rrahur nga policia me grushte në pjesën e barkut, pas arrestimit. Hysen Durmishi dhe Arben Selmani deklaruan se nuk është përdorur dhunë ndaj tyre as kur janë arrestuar dhe as gjatë qëndrimit në Qendrën për Ndalim. Sipas të ndaluarve të lënduar, pas arritjes në Qendrën e Ndalimit u është dhënë ndihma e parë e mjekut, duke i trajtuar edhe me injeksione qetësuese.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›