E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për vajzën, plagosen me thikë tre gjimnazistët



Etleva Delia

Tre nxënës të vitit të tretë në gjimnazin e Pezës në Tiranë, mbetën të plagosur me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, i cili është arrestuar brenda pak orësh nga policia. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 12:30, sapo kishte mbaruar ora e pestë e mësimit dhe 17-vjeçarët po dilnin nga shkolla. I dyshuari, Reinard Shaphasa, 17 vjeç, nga Peza, banues tek “Qyteti i nxënësit” në kryeqytet, po priste njërin prej të plagosurve, Leonard Dorzin, që sipas deklarimeve të tij në polici, i kishte ngacmuar kushërirën. Sapo është shfaqur tek dera e shkollës “objektivi” i tij, i dyshuari Reinard Shaphasa ka hyrë brenda oborrit dhe ka filluar menjëherë sulmin, edhe pse adoleshenti Leonard Dorzi ishte i shoqëruar me dy shokët e tij të klasës. Nga përleshja kanë mbetur të plagosur tre nxënësit, ndërsa autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke u hedhur jashtë oborrit të shkollës pasi ka marrë me vete edhe biçakun që përdori në krim. Sipas burimeve nga policia mësohet se Leonard Dorzi është goditur 3 herë me thikë, ndërsa dy shokët e tij nga një herë. Tre adoleshentët janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore janë kthyer në banesat e tyre pasi plagët nuk ishin serioze. Disa orë pas ngjarjes, oficerët e seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, kanë arrestuar të dyshuarin si autor të ngjarjes, Reinard Shaphasa, i cili akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”.
Konflikti
Reinard Shaphasa, 17 vjeç, prej disa kohësh ishte larguar me familjen nga fshati Pezë dhe aktualisht jetonte tek “Qyteti i nxënësit” në Tiranë. Pas largimit nga fshati ai kishte lënë edhe shkollën, duke mos e frekuentuar më, por vazhdimisht shkonte në Pezë dhe qëndronte pranë gjimnazit të fshatit. Sipas burimeve nga policia mësohet se duke qëndruar rreth shkollës, ai kishte mësuar nga persona të tjerë, se një nxënës i vitit të tretë, Leonard Dorëzi, i ngacmonte njërën prej kushërirave që ishte nxënëse aty. Për këtë qëllim, i dyshuari Shaphasa vendosi të “hakmerrej” kundër tij dhe dy ditë më parë shkoi në fshat, duke mbajtur edhe një biçak në xhep, për ta pritur personin që i kishte “rënë në qafë” kushërirës së tij.
NGJARJA
Pas orës së pestë të mësimit, Reinard Shaphasa që priste tek porta e shkollës, ka parë duke dalë Leonard Dorzin, bashkë me dy shokët e tij të klasës. Menjëherë është futur brenda në oborrin e gjimnazit dhe ka nisur menjëherë sulmin ndaj tij, deri sa i janë afruar portës për të dalë nga rrethimi i shkollës. Fillimisht duke e sharë, më pas duke e kërcënuar, adoleshenti ka nxjerrë nga xhepi një biçak që ja ka drejtuar Dorzit, me fjalët, “Do të vras, do i paguash të gjitha...”. Brenda pak sekondash dy shokët e gjimnazistit kanë tentuar t’i ndajnë, por Shaphasa ka mundur të qëllojë 3 herë me thikë Dorzin dhe më pas edhe dy miqtë e tij, duke i lënë të plagosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›