Prefekti i Tiranës padit Edi Ramën
TIRANE – Prefekti i Tiranës, Keltis Kruja dërgon në gjykatë kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama. Bëhet fjalë për një padi të ngritur ndaj kryebashkiakut, ku nga ana e prefektit pretendohet si i paligjshëm shkarkimi nga detyra prej kreut të bashkisë Edi Rama të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake dy muaj më parë. Padia është regjistruar pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit, ndërsa dje u zhvillua seanca përgatitore në këtë gjykatë. “Strumbullari” që do të përballë në gjykatë titullarët e institucioneve të Prefekturës dhe të Bashkisë është vendimi i datës 6 tetor 2009 i bashkisë për shkarkimin e kryeinspektorit të policisë bashkiake dhe emërimit të kryeinspektorit të ri. Sipas prefektit Kruja, këto dy vendime konsiderohen si jo ligjore nga ana e institucionit të prefekturës. Për këtë shkak ai i është drejtuar gjykatës për të shfuqizuar dhe shpallur absolutisht si të pavlefshme ato vendime. “Shpallje si akte absolutisht të pavlefshme të vendimit datë 06.10.2009 për largim nga detyra të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake dhe vendimit datë 06.10. 2009 për emërim në detyrë të kryeinspektorit të Policisë Bashkiake të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, thuhet në objektin e padisë së prefektit. ar.ba