Lirohet nga burgu ish politikani i Bosnjës Fikret Abdiç

Ish politikani dhe kamandanti ushtarak në luftën e Bosnjes, Fikret Abdiç, është liruar nga burgu, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit për krime lufte kundër myslimanëve, gjatë luftës në periudhën 1992-95 në Bosnjë Hercegovinë.
Raportohet se afro 3 mijë mbështetës të Abdiçit sot ishin mbledhur në qytetin bregdetar kroat, Pula, për ta përshëndetur daljen e tij nga burgu.
Fikret Abdiç, njëkohësisht njeriu më i pasur në Bosnjë dhe politikani më i popullarizuar, ishte dënuar në vitin 2003 për pjesëmarrje në vrasjen e myslimanëve gjatë konfliktit.
Gjatë luftës ai ishte kthyer kundër qeverisë së udhëhequr nga myslimanët në Sarajevë, duke e krijuar një rajon autonom në pjesën veri-perëndimore të Bosnjës.
Procesi kundër tij ishte mbajtur në Kroaci, ku ai ishte larguar pas luftës.