Pranga për falsifikim punonjëses së gjendjes civile
Durrës, policia arrestoi dje Shpresa Mirditën për falsifikim certifikatash. Në hetim edhe pesë persona të tjerë
DURRËS- Forcat e policisë së Durrësit kanë ndaluar mbrëmjen e kaluar një 37- vjeçare nga fshati Ishëm i Durrësit, e cila dyshohet të ketë falsifikuar disa certifikata. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur se shtetasja Shpresa Mirdita, 37 vjeç, lindur e banuese në fshatin Ishëm, Durrës, me arsim të lartë është ndaluar për arsye se duke qenë punonjëse e gjendjes civile të komunës Ishëm, dyshohet të ketë kryer falsifikim të akteve të gjendjes civile duke lëshuar certifikata me pulla që përdoren vetëm nga Ministria e Punëve të Jashtme. Burimet thanë se ndalimi i kësaj shtetase u bë për arsye se dyshohet se ajo mund t'i shmangej hetimit. Burimet thanë se për të njëjtën çështje ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve, Afrim Kajmaku, 28 vjeç, lindur e banues në Ishëm, Durrës, Juliana Mihalcea (Kajmaku), 30 vjeç, lindur në Rumani e banuese në fshatin Ishëm, Durrës, Shpëtim Mema, 29 vjeç, lindur në Mat e banues në fshatin Ishëm, Durrës, Fatmira Mema, 23 vjeç, lindur në Mat e banuese në Ishëm, Durrës dhe Bujar Kulla, 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjuricaj, Ishëm, Durrës. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi për arsye se dyshohet se kanë përdorur certifikatat e sipërcituara. Lidhur me rastin në fjalë u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprat penale të falsifikimit të akteve të gjendjes civile dhe shpërdorimit të detyrës i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Durrës.