Lirohet shpërndarësi i drogës, akuza gjyqtarit
TIRANE – Lirimi i një 33-vjeçari kryeqytetas në gjykatë një ditë më parë ka sjellë “acarim” marrëdhëniesh mes policisë dhe togave të zeza të kryeqytetit. Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje se i ishin drejtuar me një ankesë kryeprokurores, duke kërkuar verifikimin e provave të dorëzuar në gjykatë nga përfaqësuesit e prokurorisë, të cilët kërkuan “burg pa afat” për të akuzuarit. Ndërkohë do i drejtohen edhe KLD-së për verifikimin e këtij procesi, që solli lirimin e të dyshuarit si organizatori i shpërndarjes së narkotikëve. Në njoftimin zyrtar të policisë së kryeqytetit të datës 4 shkurt thuhet se në kuadër të operacionit policor “Baçia” të zhvilluar mbrëmjen e një dite më parë, specialistët e antidrogës kishin bërë të mundur arrestimin në flagrancë të katër personave të dyshuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas policisë të arrestuarit ishin 4 kryeqytetasit: Armando Canaj, 33 vjeç, i proceduar më parë për vjedhje; i cili u lirua dje nga gjykata, si dhe Jetnor Ademi 24 vjeç; Alban Demiraj 28 vjeç dhe Endri Avdyli, 26 vjeç. Policia pohoi se arrestimi i tyre ishte bërë pas një pune voluminoze gjashtëmujore në investigimin dhe ndjekjen e tyre, pas të cilës është arritur të mundësohet goditja në kohë e këtij grupi dhe aktiviteti i tyre kriminal në fushën e krimit të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojeve të ndryshme. Sipas policisë, hetimi për ta kishte nisur në vitin 2009, pasi në korrik dhe tetor ishin prangosur dy bashkëpunëtorë të tyre Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani. Të akuzuarit dyshohet se ishin përfshirë në shitjen e lëndëve narkotike, në zona të ndryshme të Tiranës si: zonën e Spitalit, në Rrugën e Dibrës, pranë teleferikut në Linzë, në Rrugën e Elbasanit, te stacioni i trenit, në rrugën “Fortuzi” si dhe gjimnazin “Partizani”. fa.ma.