Hemorragjia, ndahet nga jeta gjykatari i “Remzi Hoxhës”
Ndahet nga jeta gjykatësi i Krimeve të Rënda Xhelal Elezi. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një nga spitalet e kryeqytetit, gjyqtari Elezi i cili ndodhej prej katër ditësh në kurim pasi pësoi hemorragji cerebrale është ndarë nga jeta. Atij iu shfaqën problemet shëndetësore në një nga seancat gjyqësore. Pas kësaj ai u përcoll me urgjencë për në spitalin numër 5 në kryeqytet ku u kurua për katër ditë me radhë. Edhe pas ndërhyrjes dhe mjekimeve intensive të dhënë nga mjekët qe e pamundur përmirësimi i shëndetit të tij, i cili u përkeqësua derisa mbrëmjen e djeshme gjyqtari ndërroi jetë. Mjekët pohuan se Elezi kishte pësuar gjakderdhje në tru, çka e ka çuar drejt vdekjes. Xhelal Elezi u emërua në gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet në fillim të vitit 2004, kur nisi të funksiononte ky institucion, ai u transferua nga Gjykata e Kukësit. Gjatë gjashtë viteve te Krimet e Rënda, Elezi ka drejtuar disa kolegje penale si dosja e zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe banda e Lushnjes.