E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirohet studentja e drogës, u kap me 640 g kokaine

Lirimi nga salla e gjyqit u bë me qëllim që vajzës t’i jepej mundësia për të rifilluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të cilat i mbetën përgjysmë për shkak të arrestimit. Studentja ishte dënuar me dhjetë vjet heqje lirie 

TIRANE-Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi pak ditë më parë të lirojë me kusht studenten e Mjekësisë, Aurora Lico, e cila u kap në doganën e Kapshticës me një sasi prej 640 g kokainë. Studentja ishte dënuar për trafik ndërkombëtar droge me dhjetë vjet heqje lirie. Por, shkalla e dytë e gjyqësorit vendosi t’ia lehtësojë pozitën, duke e dënuar vetëm pesë vite me kusht. Lirimi nga salla e gjyqit u bë me qëllim që vajzës t’i jepej mundësia për të rifilluar studimet në Fakultetin e Mjekësisë, të cilat i mbetën përgjysmë për shkak të arrestimit. Përgjatë kësaj kohe, studentja nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale, pasi veç dënimit të radhës duhet të kryejë dhe vitet e dhëna nga Drejtësia për trafikun e drogës. Pesëshja gjykuese e Apelit ka dënuar me dhjetë vjet burg Pandush Naslazi dhe 28 muaj burg Ilia Naslazi, dy bashkëpunëtorët e studentes në trafikimin e drogës drejt Greqisë. Aurora Lico, 21 vjeç, studente në vitin e dytë të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, përfundoi në prangat e policisë më 25 tetor të vitit 2008. Vajza kishte marrë një taksi në qytetin e Korçës dhe po tentonte kalimin drejt Greqisë, në pikën kufitare të Kapshticës. Gjatë kontrollit policia i gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 640 g kokainë të pastër. Vetëm një ditë pas arrestimit të studentes, në pranga ranë edhe furnitorët e saj, Ilia Naslazi, 46 vjeç, si dhe Pandush Nazlasi, 36 vjeç.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›