E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e fondeve, 50 familje 5 vjet pa ujë të pijshëm

Fshati Kryezi është ndër fshatrat më të mëdhenj të rrethit të Pukës. Ndërprerja e investimit për ujë-sjellësin e fshatit në komunën Qafë-Mali të rrethit të Pukës, ka bërë që 50 familje të mos furnizohen me ujë të pijshëm 

PUKË - Ndërprerja e investimit për ujë-sjellësin e fshatit Kryezi në komunën Qafë-Mali të rrethit të Pukës, ka bërë që 50 familje të mos furnizohen me ujë të pijshëm. Banorët e këtij fshati nuk kanë lënë derë shtetari pa trokitur, ndërsa janë me dhjetëra ankesat e dërguara në instanca më të larta të shtetit, por askush nuk ka marrë masa për zgjidhjen e problemit të tyre. “Kemi 5 vjet që nuk furnizohemi me ujë të pijshëm. Po jetojmë ferrin, ndaj shumë prej nesh po detyrohen të marrim arratinë nga fshati”, - thonë banorët. Përfaqësues i 3 lagjeve që nuk furnizohen me ujë në kryesinë e fshatit, Lazër Prenga pohon se, “kryeministri Berisha i ka kthyer një përgjigje ankesës së banorëve, në të cilën thuhej se ishte urdhëruar Ministria e Punëve Publike dhe komuna Qafë-Mali për zgjidhjen e problemit në fjalë, por asnjë nga këto dy institucione nuk u morën me problemin tonë”. Fshati Kryezi është ndër fshatrat më të mëdhenj të rrethit të Pukës, por ai rrezikon të braktiset për shkak të harresës në të cilën është lënë për sa i përket investimeve për përmirësimin e infrastrukturës.  Banorët deklarojnë së i vetmi investim që është bërë gjatë 19 viteve të fundit, është ndërtimi i qendrës shëndetësore nga bamirësja Marian Graf. Investimi për ndërtimin e ujësjellësit u la përgjysmë para 5 viteve. Gjithashtu, u la në mes dhe investimi për urën mbi lumin që përshkon fshatin Kryezi. Ndërkohë, janë harruar dhe premtimet e bëra vite më parë për rik-onstruksionin e rrugës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›