E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lirza, violinistja e rrugës përbri

Ne dëgjuam tingujt e violinës përpara se të njihnim Lirzën. Në rrugicën e ngushtë bri pallatit ku ajo jeton, tingujt e violinës të bëjnë ta ndalësh hapin. Mbrëmjeve me hënë ti mund të mbështetesh diku dhe të dëgjosh Bahun... dhe të mendosh se në asnjë teatër kudo në botë nuk mund ta ndjesh një emocion të tillë. Muzika është e çuditshme. Ajo futet brenda teje dhe duket sikur shoqëron atë çfarë ti ndjen në ato momente.

Po kush është Lirza?

Ajo ka flokë të kaftë, që i bien deri në qafën e hollë, ndërsa sytë plot jetë. Është studente në vitin e dytë në Akademinë e Arteve për violinë. Ne e takojmë atë në apartamentin e saj, në pallatin që gjithnjë na kishte ushqyer kureshtjen: të kujt ishin duart që mbanin në dorë violinën, që rrëfen thuajse çdo natë tingujt e dashur?

Është mesditë dhe Lirza thotë se ishte duke bërë nxehjen para se të niste koncertin e Bethovenit, të cilin e ka këtë semestër në shkollë, ky ushtrim është i zakonshëm për një artist. "Nxehja është të bësh ushtrime gishtash për t‘i stërvitur ato, ushtrime harku dhe shkalla. Është një lloj paranteze para se të hysh në programin e gjerë të kompozitorëve të mëdhenj", thotë ajo.

Ka nisur të studiojë violinë që në moshën 6-vjeçare. Ka qenë sugjerimi i nënës së saj, mësuese violine në Liceun Artistik, që do ta fuste Lirzën drejt rrugës së artit. "Në fëmijëri nuk mund të them që violinën e kam pasur pasion, pasi isha tepër e vogël për të kuptuar se çfarë ishte pasioni ime. Por ishte sugjerimi i nënës sime që unë të studioja art. Fillimisht ka qenë tepër e vështirë, pasi të studiosh violinë është një punë që do vullnet e dëshirë dhe një fëmijë e ka tepër të vështirë ta kuptojë këtë", rrëfen ajo.

Por vite më pas Lirza do të kuptonte se violina ishte më tepër se një pasion. "Tani violina për mua është gjithçka" thotë ajo.

Lirza flet bukur. Një vajzë e rritur mes librash dhe që pjesën më të madhe të ditës e kalon duke u ushtruar mbi violinë, nuk ka si të jetë ndryshe.

"Është diçka tepër e bukur të interpretosh në violinë. Arti është kulmi i të gjitha dijeve njerëzore, ku mund të futen dhe ato shkencore, siç është matematika. Them se arti e përmban dhe matematikën, pasi nga ana ritmike aty gjen edhe matematikën, përmban një ndarje racionale të vlerave dhe gjatësisë së notave. Pastaj arti përmbledh dhe fusha të tjera si letërsinë, filozofinë. Të gjitha gjërat që na rrethojnë arti i përmbledh, prandaj është diçka tepër e bukur", thotë ajo.

Tashmë obligimi i saj i vetëm janë studimet dhe ushtrimi me orë të tëra në violinë për të arritur atë çfarë ka ëndërruar gjithnjë. Edhe pse Shqipëria është një terren pak i cunguar për sa u përket mundësive që ofron për artistët e rinj, Lirza vazhdon të besojë në ëndrrën e saj. Thotë se pas studimeve do të donte të punonte diku në profesionin e saj, pse jo dhe të interpretonte solo në koncerte të ndryshme.

Por arti të bën të shprehesh në shumë forma. Ajo tregon rastin e një prej violinistëve të saj të preferuar shqiptarë, siç është Tedi Papavrami, që përveçse interpreton në violinë, përkthen dhe aktron, për të na treguar se nëse je i zoti në art, mund ta gjesh veten edhe në forma të tjera.

Violinisti i saj më i preferuar është Isak Stern. "Më pëlqen ndoshta ngaqë gjej pak veten time në ekzekutimin e tij, pasi është një artist me mjaft virtuozitet dhe tinguj. Por ka dhe mjaft artistë të tjerë që më pëlqejnë", thotë ajo, duke mos harruar Paganinin, virtuozin e madh që bëri revolucion në violinë, duke shpikur elementë të cilët artistët i gëzojnë ende në ditët tona.

Irzës i pëlqen të interpretojë kompozitorë klasikë si Bah dhe Bethoven, por dhe romantikë. "Tek secili prej tyre unë gjej një element të cilin mundohem ta përvetësoj dhe të fus aty veten", thotë ajo.

Por si çdo femër, romantikët janë më pranë saj, pasi tek ata mund të gjesh meditimin, ëndrrën dhe një lloj joshjeje.

14 vjet pranë violinës i kanë dhënë mundësinë Lirzës të ketë edhe kontakte me publikun në skenë, ndryshe nga kalimtarët që ndalen të dëgjojnë tingujt e violinës së saj në rrugën bri pallatit ku ajo jeton. Por si është ndier Lirza përballë publikut, çfarë emocionesh ka ndjerë?

"Për mua emocionet nuk janë vetëm në fund të koncertit, kur publiku ngrihet në këmbë dhe të duartroket, por edhe gjatë kohës që interpreton. Nëse gjatë kohës që interpreton dëgjon që aty është një heshtje, nuk pipëtin asgjë dhe të gjithë vështrimet janë përqendruar tek ty, dhe frymëmarrjet e njerëzve me zor i ndjen, është një emocion i madh", thotë ajo.

Dhe sigurisht, për një studente të rëndësishme janë dhe fjalët e artistëve dhe profesorëve të saj në fund të çdo interpretimi. Ato janë fjalët që ajo dëgjon me shumë kujdes, duke u kujdesur që çdo këshillë ta shndërrojë në përsosje profesionale.

Lirza mund të flasë gjatë për violinën, e bindur se ajo është gjëja më e bukur që ka takuar në jetë. Janë të gjata ëndërrimet që ajo bën kur me sytë mbyllur ndjen tingujt e Bethovenit të mbushin apartamentin ku ndan jetën me familjen e saj.

Kjo vajzë kaq e ndjeshme e sheh të ardhmen e saj vetëm me violinën, dhe kërkon t‘i hapë rrugët drejt skenave që çdo artist i ëndërron vetëm me punë, e bindur se do të marrë atë çfarë meriton.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›