E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista anti-Qipro, mungojnë Kapllani dhe Berisha, surpriza Veliu

Autori i Lajmit: red.
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Josip Kuzhe, shpalli listën e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore ndaj Qipros që do të zhvillohet më 12 gusht, ora 19:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, tekniku kroat Kuzhe ka thirrur 20 futbollistë për këtë sfidë, ndër të cilët vetëm 5 luajnë në Superligën shqiptare. Kuzhe ka grumbulluar futbollistin e ri të Flamurtarit, Franc Veliun, ndërkohë që ka rikonfirmuar edhe një herë në Kombëtare mesfushorin e Tiranës, Jetmir Sefa dhe mesfushorin e Dinamos së Zagrebit, Emiljano Vila. Në listën e 20 futbollistëve bie në sy mungesa e portierit të dëmtuar Arjan Beqaj, mbrojtësit Endri Vrapi, kapitenit Altin Lala si dhe e dy sulmuesve, Besart Berisha dhe Edmond Kapllani. Në vend të tyre janë preferuar dy sulmuesit e rinj, Jahmir Hyka dhe Elis Bakaj.
Sipas FSHF-së, “ekipi kombëtar do të vihet të dielën nën urdhrat e trajnerit Kuzhe, ndërkohë që tekniku kroat ka parashikuar tre stërvitje brenda dy ditësh me skuadrën”. Takimi i 12 gushtit do të jetë ndeshja e katërt miqësore me ishullorët e “Afërditës”. Në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro. Shqipëria ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 5 të tillë.

Konfirmimet

Lorik Cana do të mbërrijë në Shqipëri për herë të parë pas transferimit të tij te Sandërlendi në Premier Ligën angleze. Në ndeshjen e fundit me Kombëtaren, atë kundër Portugalisë, ish-kapiteni i Olimpikut të Marsejës, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme, ndërkohë që e ndoqi nga tribuna “VIP” ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe pse ende pa ekip, edhe Ervin Skela është në listën e të mëdhenjve të Kombëtares së Shqipërisë, ashtu si Klodian Duro, i sapotransferuar te Apollon Limasol në Qipro. Veterani Erjon Bogdani është në vijën e parë me Hamdi Salihin.
Isli Hidi, Ervin Bulku e Ansi Agolli, “treshja e musketjerëve” të Krivbasit i japin bukuri listës, ndërkohë që “dyshja e hekurt” e Vorsklës, Debatik Curri e Armend Dallku, forcë e ritëm. Në repartin e mbrojtjes, prania e Kristi Vangjelit (Aris Selanik), Elvin Beqirit (Vllaznia) e Andi Lilës (Tirana) është thjesht një formalitet tradicional.

Debutuesit

Mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu, do të jetë edhe fytyra e re e Kombëtares anti-Qipro. Vlonjati, për të cilin përflitet se së shpejti do të testohet me Sëlltikun në Skoci, e ka merituar një vend midis 20 lojtarëve të thirrur për shkak të performancës së tij. Mesfushori durrsak Emiljano Vila, i huazuar nga Dinamo e Zagrebit, tek ekipi satelit i kampionëve të Kroacisë, Lokomotiva Zagreb, rikonfirmoi vendin e tij, pas debutimit thuajse perfekt në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Edhe mesfushori i Tiranës, Jetmir Sefa, thuajse e ka “çimentuar” vendin e tij në përfaqësuese, ashtu si Elis Bakaj e Gilman Lika (i transferuar te Boluspor në Turqi).

Mungesat
Kapiteni zyrtar i Shqipërisë, Altin Lala, edhe këtë radhë nuk e ka fatin të jetë nën urdhrat e Kuzhes, madje nuk ka qenë asnjëherë i grumbulluar qysh kur kroati ka marrë drejtimin e Kombëtares. Lala, aktualisht në rikuperim e sipër nga një dëmtim muskulor, nuk ishte as në grumbullimin kundër Portugalisë e Gjeorgjisë. Në raport me listën e parë të Kuzhes për ndeshjet kundër Portugalisë dhe Gjeorgjisë, sulmi është reparti ku bien në sy edhe mungesat e mëdha: Edmond Kapllani (i transferuar këtë verë nga Karlsruhe te Augsburgu) dhe Besart Berisha (nga Bërnli në Angli te Arminia Bielefeld në Gjermani). Edhe në prapavijë, mungesat kanë të bëjnë me emrat e Endri Vrapit (Dinamo) dhe Admir Telit (luan në Azerbajxhan me Karabak). Në mesfushë emri që bie në sy është ai kapiteni të Krivbasit në Ukrainë, Dorian Bylykbashi.

Qipriotët, një kundërshtar që e njohim mjaft mirë

Trajneri Kuzhe, ka luksin që të ketë në ekip një lojtar si Klodian Duro që e njeh shumë mirë kampionatin e ishullorëve. Në Qipro luajnë dy lojtarë të ekipit aktual kombëtar shqiptar, portieri Arjan Beqaj (Anorthosis Famagusta) dhe mesfushori Klodian Duro (Apollon Limasol). Në ishull aktivizohen edhe dy ish-lojtarë të tjerë, Altin Haxhi (Apoel, kampioni në fuqi i Qipros) e Foto Strakosha (trajner portierësh te Apoel). Qipro, ndaj së cilës do të përballemi për herë të katërt (të gjitha miqësore) ndodhet në vendin e 73-të (445 pikë) në renditjen e përgjithshme dhe në të 37-in në atë të UEFA-s. Në takimin e fundit zyrtar të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Qipro barazoi në shtëpi 2-2 me Malin e Zi. Në gjashtë ndeshje zyrtare ka grumbulluar 5 pikë: 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje (6 gola të shënuar, 9 të pësuar). Qipro ka grumbulluar 5 pikë pas gjashtë ndeshjesh dhe renditet në vendin e 4-t në Grupin 8, ku bëjnë pjesë edhe Italia (14 pikë), Irlanda e Veriut (13), Bullgaria (8), Mali i Zi (4) dhe Gjeorgja (3). Golashënuesi më i mirë për Qipron në këtë sezon kualifikues është Michael Konstantinu, 3 gola, 3 gola e tjerë mbajnë firmat e Mihail Krisostomos, Kristofi Dimitris dhe Aloneftis Efstathios (secili nga një gol).

Miqësore ndërkombëtareShqipëri-Qipro
12.08.2009, ora 19:00
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”

Lista e futbollistëve

1. Isli HIDI - FC Kryvbas Kryvyi Rih
2. Samir UJKANI - FC Novara
3. Kristi VANGJELI - Aris Selanik
4. Armend DALLKU - Vorskla Poltava
5. Elvin BEQIRI - KF Vllaznia
6. Andi LILA - KF Tirana
7. Franc VELIU - KF Flamurtari
8. Debatik CURRI - Vorskla Poltava
9. Ervin BULKU FC - Kryvbas Kryvyi Rih
10. Ervin SKELA - Energie Cottbus
11. Gilman LIKA - FC Boluspor
12. Lorik CANA - FC Sunderland
13. Ansi AGOLLI - FC Kryvbas Kryvyi Rih
14. Jetmir SEFA - KF Tirana
15. Emiljano VILA - Dinamo Zagreb
16. Klodian DURO - Apollon Limassol
17. Jahmir HYKA - FSV Mainz 05
18. Hamdi SALIHI - SV Ried
19. Elis BAKAJ - KF Dinamo
20. Erjon BOGDANI - Chievo Verona

Trajner Josip KUZHE

Programi stërvitor i ekipit kombëtar
09.08.2009 – 12.08.2009

10 gusht 2009
Stërvitje: ora 10:00 dhe 18:00

11 gusht 2009

Konferencë për shtyp: ora 12:00
Trajneri dhe dy lojtarë

Stërvitje: ora 18:00

12 gusht 2009
Ndeshja: ora 19:00

Akomodimi i ekipit kombëtar është në hotel “Tirana International”, Tiranë
Ky lajm është publikuar: 07/08/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›