PD merr shumicën në Këshillin Bashkiak të Tiranës
Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” pritet të ketë mazhorancën në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka realizuar shpalljen e votave proporcionale për këshillin, pas numërimit të 473 kutive të votimit. Sipas këtyre të dhënave rezulton se koalicioni i mazhorancës, që udhëhiqet nga Partia Demokratike, ka grumbulluar më 8 maj një numër prej 116275 votash. Sakaq, koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, që drejtohet nga Partia Socialiste, ka marrë një numër prej 114234 votash. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se partitë jashtë koalicioneve kanë marrë në Tiranë një numër prej 4100 votash. Sipas këtyre të dhënave rezulton se mazhoranca është 2041 vota përpara koalicionit opozitar, çka i lejon asaj të ketë shumicën në Këshillin Bashkiak. Mbeten edhe 12 kuti votimi, që të përmbyllet procesi i numërimit të votave proporcionale në Tiranë. Që të përmbysë avantazhin e koalicionit të mazhorancës, opozitës i duhen mesatarisht 170 vota më shumë për çdo kuti votimi që do të numërohet. Ndonëse matematikisht diçka e tillë mbetet e mundshme, deri sa të përmbyllet numërimi i këtyre kutive ka pak gjasa që koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” të përmbysë avantazhin e së djathtës në Këshillin Bashkiak. Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, dhe më tutje Kolegji Zgjedhor, do të certifikojë fitoren e Edi Ramës si kryebashkiaku i Tiranës, atëherë ai do të duhet të ketë përballë një Këshill Bashkiak ku shumicën nuk e ka koalicioni që e zgjodhi kryetar. Përndryshe, në rast se kandidati i mazhorancës, Lulzim Basha, do të ishte fituesi i zgjedhjeve sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor, atëherë kryetari dhe Këshilli Bashkiak do ti përkisnin të njëjtës shumicë politike. Pas zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit 2007, koalicioni i majtë në të cilin bënin pjesë Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, morën mandatin e kryetarit të bashkisë, por edhe shumicën në Këshillin Bashkiak. Dalja e LSI-së së Ilir Metës nga koalicioni opozitar dhe pozicionimi kundër Partisë Socialiste, çoi në bllokimin e vendimmarrjes në Këshill. Një reaksion zinxhir i kësaj natyre ndodhi në të gjitha këshillat bashkiak, ku votat dhe mandatet e LSI-së ishin përcaktues për kahun e shumicës vendimmarrëse. Mbetet për tu parë, pasi të jetë zyrtarizuar fituesi i Bashkisë së Tiranës dhe më tutje shumica e Këshillit Bashkiak, nëse do të ketë përsëritjen e të njëjtave situata, apo do të ketë një risi në komunikimin mes këshillit dhe institucionit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Bllokimi i Këshillit bashkiak ishte një argument i përdorur nga Rama, në fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit. Rama u kërkoi qytetarëve që të jepnin një votë për të çliruar, sipas tij, Këshillin Bashkiak nga bllokimi që i bëri aleanca PD-LSI.