E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e OKB për terrorizmin,sekuestrohen magazinat e Kadi

TIRANE – Sekuestrohen magazinat “Loxhall”, firmës së Yassin Kadi në Laprakë. Bllokimi i tyre është bërë nga inspektorët e Agjencisë së

Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, nën drejtimin e kreut të këtij institucioni Hekuran Vladi, në bazë të një urdhri të Ministrit të Financave. Gjithçka ka ndodhur mesditën e djeshme, kur inspektorët kanë shkuar në vendin ku ndodhen magazinat dhe i kanë komunikuar administratorit të tyre Hamzeh Abu Rayyan dhe avokatit të tij Saimir Visha urdhrin e ministrit të Financave. Inspektorët janë kundërshtuar nga avokati i Rayyan, i cili ka pohuar se sekuestrimi bëhet vetëm me vendim gjykate, që në rastin konkret mungon. Sipas avokatit ky veprim në këtë rast mund të përkufizohej në grabitje të pronës së ligjshme të Kadi. Më tej, ai pohoi se qëllimi i veprimeve të inspektorëve ishte përzënia nga Shqipëria e administratorit Abu Rayyan për t’i rrëmbyer më pas pronat. Mbrojtësi i Rayyan pohoi dje se, urdhri për sekuestrimin e pronave të “Loxhall”, asete të suaditit Yassin Kadi, për shkak se emri i tij ndodhet në listën e Këshillit të Sigurimit si i dyshuar për financim të terrorizmit, është  haptazi i kundërligjshëm dhe është nxjerrë nga ministri në kapërcim të kompetencave të tij ligjore. Kundër këtij urdhri  Kadi ka ngritur padi në Gjykatën e Tiranës dhe aktualisht, çështja ndodhet në gjykim. Më tej, mbrojtja pohoi se kompetenca për sekuestrimin e pronave të Kadi në bazë të ligjeve i përket vetëm gjykatës. Po kështu, mbrojtja pohoi se edhe administratori i këtyre pasurive duhet të caktohet me vendim gjyqësor. Mbrojtja e Kadi pohoi se, emri tij ndodhet në listën e Këshillit të Sigurimit të OKB si i dyshuar për financim të terrorizmit, po ashtu edhe në listën e shpallur nga qeveria shqiptare më 15 korrik 2004. Sipas mbrojtjes ai është privuar nga të drejtat dhe liritë e tij themelore, siç është zotërimi i pronës dhe paprekshmëria e saj pa një proces të rregullt ligjor. Në fund mbrojtja e Kadi dhe Rayyan pohoi se, emri i sauditit mbahet padrejtësisht në listën e financuesve të terrorizmit. Ndaj tij është filluar çështja penale në vitin 2001 dhe ka përfunduar me vendim pushimi të Prokurorit të Përgjithshëm më 26 dhjetor 2004, duke mos kaluar për gjykim, pasi nuk u gjet asnjë provë që ai të ketë financuar terrorizmin. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›