E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i bën thirrje Ramës të kandidojë për deputet



Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Berisha u ndal dje në komunën e Voskopojës, në Korçë, për të përuruar fillimin e punimeve të rrugës së Voskopojës. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha i ka bërë thirrje kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, që të futet në garën elektorale dhe të kandidojë për deputet. “I kërkoj zotit Rama të dalë në krye të listës së partisë, se rregulli qytetar kërkon që fushata të jetë simetrike, që të dyja palët të kenë liderët e tyre, të mos bëjë gabimin fatal ta lërë fushën bosh, sepse do të jesh një turp jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Europën. Ki kurajën, merr guximin, shkëputu nga lejet e ndërtimit. Dil në shesh. Të dalim me alternativa dhe t’u themi shqiptarëve se çfarë do të bëjmë ne në katër vitet që vijnë”, - është shprehur Berisha. Më tej kryeministri ka bërë një bilanc të reformave që ka ndërmarrë qeveria që ai drejton, ndërsa ka kërkuar sërish votën për një mandat të dytë të PD-së.

Topalli: “Rruga Durrës-Kukës do të marrë emrin e Sali Berishës”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka udhëtuar në një autobus të mbushur me gra përgjatë segmentit rrugor Kukës-Morinë, pjesë e autostradës Durrës-Kukës. Kryetarja e Kuvendit u njoh nga afër me detajet teknike të punimeve dhe punën kolosale të bërë në një afat rekord në këtë segmentin rrugor Durrës-Kukës. Aty Topalli përsëriti edhe një herë se “kjo rrugë e ka emrin Sali Berisha”. Sipas saj, kjo është një vepër unike, e cila mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve, ndërkohë që është realizuar në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t’u bërë e mundur që të mbyllet në qershor. Nga ana e tyre, drejtuesit e projektit pohuan se janë 3800 punonjës, 60 për qind e të cilëve punojnë 24 orë në 24 dhe vlerësuan se pa mbështetjen dhe këmbënguljen e qeverisë kjo vepër gjigante nuk do të mund të realizohej në një kohë kaq të shkurtër.

Mediu në Burrel: “Prioritetet e qeverisë, interesat e qytetarëve”

Kreu republikan, Fatmir Mediu, ishte në një takim elektoral në qytetin e Burrelit. Gjatë fjalës së tij Mediu analizoi punën katërvjeçare të qeverisjes së maxhorancës së djathtë, duke cilësuar Partinë Republikane si strukturë të qëndrueshme dhe partnere serioze të saj.
Numri një i republikanëve tha se prioritetet e qeverisjes së këtyre katër viteve kanë qenë të njëjtat prioritete të të gjithë shqiptarëve. Reformat e ndërmarra i kanë dhënë Shqipërisë një vizion të ri në rajon dhe më gjerë. “Anëtarësimi me të drejta të plota në NATO ishte bërja realitet e një ëndrre të madhe. Tanimë ne jemi partnerë me të drejta të barabarta me të gjitha vendet e tjera të Aleancës. Para nesh është e ardhmja jonë e përbashkët, për Shqipërinë që duam, sot në NATO, nesër në BE, dhe këtë ne do ta realizojmë së shpejti, me besimin që shqiptarët do të na japin, ashtu si në 2005 edhe në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit”, - është shprehur Mediu.

PDK-ja shpreh shqetësimin se qytetaret romë nuk janë të regjistruar në gjendjet civile

Edhe pse vetëm një muaj para zgjedhjeve, kandidatet demokristianë për deputetë gjejnë grupe të mëdha sociale rome, të cilët nuk figurojnë në regjistrat e Gjendjes Civile të shtetit. Nisur nga ky shqetësim kandidatët për deputetë Apollon Baçe, Marie Dobra, Meleqe Rrenja, duke marrë shkas dhe nga informacionet e ardhura, kanë shkuar në zonën e Fushë-Krujës dhe janë ndeshur përballë realitetit absurd, ku shtetasit nuk figurojnë në regjistrat e shtetit. Kandidatët demokristianë, pasi janë njohur dhe me gjendjen e mjeruar të këtij komuniteti, si dhe vështirësitë e mëdha sociale, kanë nisur veprimin për regjistrimin e tyre duke i regjistruar në dokumentet zyrtare të bashkisë së Fushë-Krujës, që jo vetëm të njihen si shtetas shqiptarë, por edhe të pajisen me kartën e identitetit. Nisur nga kjo ngjarje, në Fushë-Krujë PDK-ja ka dërguar përfaqësuesit e saj edhe në rrethe të tjera të vendit për të parë se si është situata lidhur me këtë komunitet.

21 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›