E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e barnave që shiten në farmaci pa recetën e mjekut



Emanuela Sako

Një pjesë e barnave që shiten në farmacitë e vendit mund të blihen pa recetën përkatëse të mjekut. Kjo kategori barnash është e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka përcaktuar si të tilla barnat që konsiderohen si të lehta. Të tilla janë barnat që përdoren për dhimbjen e kokës, stomakut, pomada të ndryshme, vitaminat, produktet e higjienës etj. Ndërsa me emrat konkretë që tregtohen në farmaci, ato njihen si Paracetamol, Kalcium, Aspirinë, Kafetinë, Fervex, Fastum xhel. Këto barna nëse nuk përdoren në dozat e duhura shkaktojnë problem tek pacientët, prandaj specialistët kanë përcaktuar dhe dozat që duhet të merren dhe njëkohësisht, çdo pacient mund të këshillohet me farmacistin.
Farmacitë
Sipas rregullores së Ministrisë së Shëndetësisë, në farmaci do të shiten pa recetë të gjitha barnat që do të regjistrohen në vendin tonë të cilat kanë të njëjtat principe aktive dhe formë/dozë të kësaj liste si dhe ato barna me principe aktive të tjera që do të konsiderohen të tilla gjatë procedurës së regjistrimit.
Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar listën e plotë të të gjitha barnave që mund të blihen pa lejen e mjekut. Kjo listë u është shpërndarë të gjitha farmacive në të gjithë vendin, për të mos u hapur rrugë abuzimeve të shumta që mund të ndodhin. Specialistët e shëndetësisë kanë evidentuar se farmacistët e kanë shkelur këtë rregullore pavarësisht se janë njohur me ligjin dhe rregullat në fuqi. Sipas tyre, antibiotikët dhe një sërë medikamentesh të tjera janë lejuar të jepen pa recetë dhe për ta, kjo situatë konsiderohet tepër alarmante. Barnat e marra pa këshillën mjekësore mund të vënë në rrezik jetën e pacientëve, për shkak të konsulencës mjekësore nga ana e specialistit përkatës.
Recetat
Autoritetet shëndetësore të farmaceutikës, gjatë një konference të mbajtur pak ditë më parë bënë të ditur se farmacitë shesin barna pa recetën e mjekut përkatës. Kështu, përsa i përket problemit me recetat, përfaqësuesit e shëndetësisë theksuan se duhet të ketë një rishikim të ligjit për barnat. Në hartimin e ligjit të ri për barnat do të merren parasysh të gjitha problemet, ku të vendosen rregulla, procedura dhe sanksione të reja. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kërkoi unifikimin e tregut farmaceutik dhe përafrim me atë europian. Për të shmangur mënyrat e abuzimeve autoritetet shëndetësore përkatëse ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në të gjitha farmacitë. Nga kontrollet e ushtruara u vërejt se shumica e barnave shiteshin pa recetë në të gjitha farmacitë e vendit. Ndërkohë që ligji parashikon që farmacistët duhet të ruajnë recetat e pacientëve për nga dy deri në pesë vjet. Ruajtja e recetës për dy vjet vlen për recetat e thjeshta, ndërsa për blerjen e barnave narkotike dhe psikotrope është parashikuar ruajtja e recetës deri në 5 vjet. Ndërkohë që, autoritetet e shëndetësisë theksuan se tregu jonë farmaceutik është ende i varfër dhe kjo varfëri duhet të zgjidhet nëpërmjet bashkëpunimeve me vendet e huaja dhe me pasurimin e tregut farmaceutik me barna të reja. Specialistët e shëndetësisë dhe të farmaceutikës evidentuan problemet e barnave që ekzistojnë në tregun farmaceutik, të cilat kanë dalë prej kohësh nga tregu europian.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›