E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihal Naço: “Paketa higjeno-sanitare për invalidët 16 mijë lekë”



Paketa higjeno-sanitare për invalidët para e tetraplegjikë, do të jetë 16 mijë lekë në muaj. Pas deklaratave të bëra nga drejtuesit e Shoqatës së invalidëve, për mospërfitmin e rritjes së premtuar nga qeveria për paketën higjeno-sanitare, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Social, Mihal Naço, bën të ditur në një prononcim për shtyp se, sipas VKM-së nr.327, për një ndryshim në “Masën, kriteret dhe procedurat e përfitimit të një pakete të veçantë higjeno-sanitare për invalidët para e tetraplegjikë”, masa prej 12 mijë lekë në muaj, zëvendësohet me masën prej 16 mijë lekësh. Sipas Naços, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit për vitin 2009. Ndërkaq, drejtori i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), sqaron edhe faktin që, sipas VKM-së nr.326, do të përfitojnë kontribute shoqërore edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara. Konkretisht periudha e shërbimit si kujdestar, për personat pranë para e tetraplegjikëve, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk përfitojnë të ardhura nga sigurimet shoqërore, do të vlerësohet si periudhë sigurimi. Në këtë mënyrë, kujdestarët do të përfitojnë të ardhura nga skema e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, si pension, lejelindje, sigurim shëndetësor për dëmtim në aksident në punë dhe sëmundje profesionale. Drejtori, Mihal Naço bën të ditur se mbështetur në informacionin e dërguar nga njësitë vendore, ka filluar puna për të hartuar listat e kujdestarëve përfitues, në bazë të të cilave do të përllogariten fondet që nevojiten për pagesën e kontributeve për këtë kategori shoqërore.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›