E Diel, 1 Nëntor 2026

Lista e rimbursimit, me 31 ilaçe të reja

Rreth 70 ilaçe janë risi për listën e barnave me rimbursim për vitin 2009. Fatura financiare e kësaj liste kap vlerën e 4.7 miliardë lekëve të reja. Lista që do të shpërndahet në të gjitha farmacitë e vendit do të hyjë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Dje, në një konferencë të përbashkët, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, dhe drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, prezantuan barnat e reja që do të jenë pjesë e listës së sivjetshme. Ndërkohë që kanë renditur edhe pacientët, të cilët do të përfitojnë nga rimbursimi. Risia e këtij viti janë ilaçet që do të rimbursohen për sëmundjet kronike të gjakut, ndërkohë që është menduar edhe për ata persona të cilët do të transplantohen. Barnat që shërbejnë për të mbajtur larg infeksionet e të transplantuarve do të rimbursohen nga shteti.

Sakaq, pjesa dërrmuese e të sëmurëve që do të përfitojnë nga lista janë pacientët kronikë, kryesisht në moshën e tretë apo ata që vuajnë nga shqetësimet që prekin më shumë popullatën tonë.

Pacientët kronikë me sëmundje gjaku, të transplantuarit, pensionistët, të sëmurët me prostatë, me veshka, pacientët me zemër, tension, diabet do të rimbursohen nga lista e 2009-ës.

Po ashtu, edhe barnat për trajtimin e sëmundjeve të sistemit nervor, alergjive, sëmundjeve të mushkërive do të jenë pjesë e kësaj liste që kushton 4.7 miliardë lekë të reja.

"Reforma dhe politika shëndetësore që po zbatojmë ka si qëllim kryesor t‘i ofrojë qytetarit një shërbim shëndetësor gjithnjë e më cilësor e në të njëjtën kohë me kosto të përballueshme. Në këtë kuadër, përbëjnë suksese reforma në sektorin farmaceutik dhe shtrirja e skemës së financimit, nëpërmjet sigurimeve shëndetësore", u shpreh dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Sipas saj, komisioni i hartimit dhe rishikimit të listës së barnave të rimbursueshme në hartimin e vendimit për listën është bazuar në analizën dhe raportin e drejtë midis këtyre kritereve kryesore: siguri, efikasitet, kosto, përparësi barnave për trajtimin e sëmundjeve të rënda. "Lista e barnave të rimbursueshme për vitin 2009 është pasuruar me 31 barna të reja, të cilat jo vetëm rrisin numrin e barnave që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, por, mbi të gjitha, përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për popullatën", u shpreh dje drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.

Kjo listë ka barna shumë të shtrenjta, por mbi të gjitha do të trajtohen qindra pacientë me sëmundje të rënda, barnat për trajtimin e të cilave futen për herë të parë në listën e rimbursimit, sikurse janë leucemia, infeksionet post-transplant.

Ne sot arrijmë të mbulojmë 95 për qind të sëmundshmërisë kronike me listën e rimbursimit dhe kjo është një arritje mjaft e madhe.

Në listën e re gjenden edhe kombinime të reja mjekimesh, të cilat përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për moshën e tretë, për sëmundje si astma bronkiale, epilepsia.

Përpos barnave që mbulojnë diagnoza të reja dhe kombinimeve të rinovuara të mjekimit, në këtë listë janë shtuar formë doza të tjera për fëmijët, të sëmurët kronikë, si dhe të shqetësimeve të tjera, nga të cilat vuajnë më shumë shqiptarët.

Box

Projekti shtet-pacient

Lista e dytë e rimbursimit, me bashkëfinancim

Në kohën e mbivlerësimit të euros dhe zhvlerësimit të lekut, monedhës vendase dhe faturës së shtrenjtë financiare të Listës së barnave me rimbursim, një listë e dytë me bashkëfinancim mbetet jashtë projekteve të shëndetësisë. Një listë e dytë barnash me rimbursim ishte menduar të ishte një risi për të ndihmuar pacientët e sëmundjeve kronike. Kjo listë do të funksiononte në bazë të bashkë-pagesës, ku shteti do të paguante një pjesë të parave dhe ajo që mbetej do të blihej privatisht nga pacientët. Ky ishte një projekt i propozuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor një vit më parë.

Por, pas sfidave që duhet të përballonte shëndetësia, si reforma, hartimi i ligjeve bazë të shëndetësisë apo edhe ndryshimeve të shpeshta të stafeve pranë Ministrisë së Shëndetësisë, si edhe mungesa e fondeve, e lanë këtë ide thjesht në një projekt që mbetet për t‘u zbatuar në të ardhmen...

Spitalet qendrore të vendit po mendojnë për të pajisur ndihmës mjekët me veshje të veçantë

Uniforma për infermierët,

"dilemë" për kombinimin e ngjyrave

Sugjerimi i mbështetur nga shumica dhe i deklaruar nga Urdhri i Infermierëve për pajisjen e ndihmës mjekëve me uniformë u ka tingëlluar pozitivisht strukturave drejtuese të spitaleve kryesore të vendit. Ideja për të veshur infermierët njësoj, në mënyrë që të bëhet dallimi ndërmjet pjesës tjetër të punonjësve në spital, u ka pëlqyer pjesës më të madhe të punonjësve në shëndetësi. Kështu, duke nisur dhënia e shembullit të mirë nga spitali më i madh i vendit "Nënë Tereza", kjo iniciativë do të mbështetet edhe nga qendrat e tjera shëndetësore.

Konkretisht, në spitalin e Tiranës, infermierët janë informuar të shprehin mendimin e tyre lidhur me kërkesat apo parapëlqimet për veshjet që do të mbajnë çdo ditë, në të katër stinët e vitit.

Do të jetë një veshje uniformë, duke pësuar ndryshime nga gjinia femërore te ajo mashkullore, duke pasur parasysh që një pjesë e mirë e infermierëve janë meshkuj.

Ngjyrat do të jenë të kombinueshme, të qeta dhe të ftohta, në mënyrë që të mos paraqesin shqetësime në sytë e pacientëve.

Veshja e njëllojtë në spital e ndihmës mjekëve, ka qenë një kërkesë nga vetë ata, gjë të cilën e ka propozuar si ide Urdhri i Infermierëve në konferencat e fundit që ka organizuar.

Sipas informacioneve paraprake, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", ngjyrat më të parapëlqyera të infermierëve janë e bardha dhe e zeza. Një kombinim klasik dhe i përdorur kudo dhe nga të gjithë, por gjithmonë i pëlqyer. Por, pavarësisht kësaj, debatet dhe diskutimet vazhdojnë, në mënyrë që pjesa që mendon që nuk duhet t‘i ngjajë stjuardesave të ndryshoj mendim. Në të kundërt duhet të gjendet një zgjidhje e "artë", nëse spitali nuk do të rrezikoj humorin e punonjësve që në orët e para të mëngjesit, kur infermierëve do t‘u duhet të veshin rrobat e punës. Lorina Mixha

Tabelë

Barnat e përfshira në listën e rimbursimit 2009 :

Drotaverine hydrochloride 40 mg tabl
Acid ursodesoxycholic 300 mg caps
3. Ticlopidine Hydrochloride 250 mg caps.

4. Methoxy polyethylene glycol-epoetin beta 50mcg/0.3ml pre-filled syr.

5. Methoxy polyethylene glycol-epoetin beta 75mcg/0.3ml pre-filled syr.

6. Methoxy polyethylene glycol-epoetin beta100mcg/0.3ml pre-filled syr.

7. Indapamide 2.5 mg caps.

8. Olmesartan medoxomil + Hydrochlorthiazide (20 +12.5) mg tabl.

9. Valganciclovir 450 mg f.c.tabl.

10. Imatinib 100 mg caps.

11. Ibandronic acid, monosodium salt monohydrate 50 mg f.c.tabl.

12. Lamotrigine 25 mg dispersible tabl. & tabl.

13. Lamotrigine 50 mg dispersible tabl. & tabl.

14. Lamotrigine 100 mg dispersible tabl. & tabl. 15. Lamotrigine 200 mg tabl.

16. Gabapentin 100 mg caps.

17. Gabapentin 300 mg caps.

18. Gabapentin 400 mg caps.

19. Levetiracetam 100 mg/ml - 300 ml Oral solution fl.

20. Levetiracetam 500 mg f.c.tabl.

21. Olanzapine 5 mg coated tabl. & tabl.

22. Budesonide 100 mcg/doze -10 ml nazal spray fl.

23. Budesonide 100 mcg/doze Inhaler *200 doza fl.

24. Budesonide 200 mcg/doze Inhaler *100 doza fl.

25. Budesonide + Formoterol fumarate dihydrate

Turbo Inh. poëder x 80/4.5 mcg/dose fl.

26. Budesonide + Formoterol fumarate dihydrate

Turbo Inh. poëder x 160/4.5 mcg/dose fl.

27. Fluticasone propionate

Inhaler susp x 250 mcg/dose -120 doza fl.

28. Salmeterol xinafoate + Fluticasone propionate

DISCUS Inh. x (50 mcg + 250 mcg)/unit dose fl.

29. Salmeterol xinafoate + Fluticasone Propionat

DISCUS Inh. x (50 mcg + 100 mcg)/ unit dose fl.

30. Salmeterol xinafoate + Fluticasone propionate

DISCUS Inh. x (50 mcg + 500 mcg) /unit dose fl.

31. Deferriprone 500 mg tabl.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›