Ekstradohet ish-studenti që vrau shokun e dhomës
Ekstradohet nga Italia studenti shkodran, i dënuar me 11 vjet burg për vrasjen e shokut të tij në Qytetin Studenti. Ditën e djeshme, Interpoli ka ekstraduar Sokol Prronin, 29 vjeç, i cili rreth një vit më parë u arrestua në Itali për llogari të drejtësisë shqiptare. Sokol Prroni është dënuar me 11 vjet heqje lirie për një krim të kryer në vitin 2002, në godinën nr. 20 në Qytet Studenti. Ky person akuzohet se pasditen e 6 marsit të vitit 2002 ka qëlluar për vdekje me armë zjarri Gëzim Koren. Pas kryerjes së krimit, autori arriti t‘i shmanget policisë bashkë me vëllain e tij, madje të kalojë edhe kufirin, duke u strehuar te të afërmit, përtej detit, në Itali. Sipas dosjes penale, Sokol Prroni ka qenë student i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Ai ka banuar në dhomën 202 të godinës nr.20 në Qytetin Studenti, bashkë me Gjergj F. dhe Ahmet E. Nga fundi i muajit shkurt të vitit 2002, Gjergj F. ka sjellë për të fjetur në dhomë Gëzim Koren, banues në Fier, me të cilin ishte njohur disa muaj më parë. Gëzim Kora ka fjetur disa ditë në atë dhomë. Gjatë kohës që viktima ka fjetur aty, Gjergj F. i ka humbur një celular. Për këtë vjedhje, viktima ka akuzuar Prronin, me të cilin është grindur, madje ka arritur deri atje sa ta qëllonte me pëllëmbë. Pas debatit të ashpër dhe me ndërhyrjen e disa të pranishmëve, sherri është shuar. Të nesërmen në mëngjes, Prroni është nisur në Shkodër, ku ka takuar Bardhok Prronin. Të dy bashkë kanë ardhur në Tiranë dhe janë takuar me Gjergjin dhe Ahmetin. Atë natë, Prroni nuk ka fjetur në Qytetin Studenti. Të nesërmen në darkë, dy të dyshuarit kanë ardhur në dhomën nr.202 dhe sapo ka hyrë brenda Kore, Sokol Prroni ka nxjerrë pistoletën që e mbante pa leje dhe e ka goditur vetëm një herë në gjoks. Viktima, pasi ka ecur disa hapa, është rrezuar në korridor, duke mbetur i vdekur. Ndërsa dy autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.