Vrau për hakmarrje në ‘96, kapetnë Itali ish-mësuesi nga Dibra
Arrestohet në Itali mësuesi dibran i akuzuar për vrasje. Policia e shtetit bëri të ditur dje se është vënë në pranga 35- vjeçari Frrok Servat Koçeku, i dënuar në Shqipëri me 15 vjet burg. Prangosja e tij është bërë si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me Interpol Romën, pasi emri i tij ndodhet në listën e personave të kërkuar nga shteti shqiptar. Policia pohoi se Koçeku, ish-mësues është dënuar më 11 qershor 1998 me 15 vjet burg për veprën penale të “vrasjes me paramendim” të Besim Buçit,për arsye gjakmarrje. Kjo për faktin se një anëtar i fisit Buçi kishte vrarë të atin e Koçekut. Pas njoftimit të mbërritur nga Roma shteti shqiptar tashmë ka nisur kryerjen e procedurave për ekstradimin e tij në Shqipëri ku i duhet të kryejë dënimin që ka marrë në mungesë. I njëjti person, tre vjet më parë u bë personazh mediatik në Londër pasi arriti t’i shpëtonte ekstradimit, ndërsa ishte arrestuar për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë. Gjatë seancave të zhvilluara në gjykatë në ngarkim të tij ai u mbrojt duke pohuar se familja e tij ishte e vetme që i përkiste besimit të krishterë në fshatin Lurë dhe se persekutohej dhe diskriminohej nga të gjithë bashkëfshatarët, të cilët i përkisnin fesë myslimane. Pasi mohoi autorësinë në krim Koçeku, atëherë duke qarë gjatë seancave gjyqësore kishte mundur të bindte gjykatën veç tjerash se shteti shqiptar kishte falsifikuar dokumentet që kishte dërguar në Britani për ekstradimin e tij. Po kështu, mësohet se ka pohuar në Gjykatën angleze se familjes së tij i përkisnin një sipërfaqe e konsiderueshme pronash në vendlindje, nga të cilat rreth 200 hektarë pyje ishin djegur nga persona që ushtronin në vazhdimësi presion mbi familjen e tij. Më në fund ai kishte pretenduar në Gjykatë se njërin nga liqenet e Lurës, (që në fakt janë pjesë të parkut kombëtar) shteti shqiptar ia kishte dhënë një biznesmeni italian, i cili kërcënonte familjen Koçeku për t’i detyruar të heshtnin. Gjykata londineze u bind nga këto pretendime dhe vendosi të mos e ekstradonte të kërkuarin në Shqipëri. Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja që shtyu Koçekun të ikte nga Anglia drejt Italisë ku edhe u kap nga policia, ndërsa tashmë pritet që të nisin procedurat ligjore me shtetin italian për ekstradimin. fa.ma.