Lista e zezë, Moisiu: Kemi fakte
bledar hoti
Ish-presidenti Alfred Moisiu shprehet se është i hapur për t’u përballur me paditë e ngritura nga ana e kandidatëve të cilësuar jo të vlefshëm nga koalicioni që i drejton “Për Parlament të Pastër”. Në emisionin “Ora e Debatit” e drejtuar nga gazetari Alfred Moisiu në Ora News, drejtuesi i këtij koalicioni, Moisiu, ka theksuar se “nuk ka gjykuar, por ka dhënë vlerësime në lidhje me 140 kandidaturat e përzgjedhura në mënyrë rastësore”. Ish-presidenti theksoi se vlerësimi i kandidatëve është kryer mbi bazën e dokumenteve të marrë nga ana e Komisionit të Vlerësimit, duke shtuar se ato janë marrë dhe në Ministrinë e Drejtësisë. “Unë nuk jam marrë me listat, s’kam qenë në komision dhe jam kryetari i nderit që dua ta përçoj një gjë të tillë. S’kam akuzuar njeri, s’kemi ndërmend që ta realizojmë një gjë të tillë, por ne shqiptarët e kemi të vështirë që të pranojmë disa të vërteta. Jam qytetar dhe do të paraqitem para ligjit, do të përfaqësohem me avokatin tim atje”, deklaroi Moisiu. Paditë e ngritura ish-kreu i shtetit i cilësoi se “sigurisht është e padrejtë, sepse unë kam drejtuar një punë të një grupi të madh njerëzish, dhe nuk i hyj në detaje. Dhe sigurisht duhet të caktohej një drejtues, jam kryetar nderi. Nuk jam marrë unë me këtë çështje, por koalicioni”. “Sa për gjykatat unë jam mësuar që në moshën 18-vjeçare, kur isha oficer i ri. Në vitin 1948 hyra dhe preva disa dru e atëherë erdhi rojtari i pyllit dhe u ndëshkua. Gjobën e pagoi komanda ushtarake, u mbajt procesverbali dhe hodha firmën se ishte një fakt i kryer. Por faji prapë ishte i imi, sepse ishte kërkesa ime ligjore. Unë isha 18 vjeç atë kohë, përplasja ishte që herët dhe vlejti”, theksoi Moisu. Ndërsa për akuzat e kandidatit socialist, Tavo, ish-presidenti theksoi se “ai duhej të bënte publike emrin e personit që i ka kërkuar ryshfet”. Ish-presidenti fajësoi partitë politike për mosreagimin në kohë. “Ne i kemi dërguar listat e partive me emrat e 21 personave që në 2 qershor, partitë nuk reaguan, i mospërfillën dhe ne u detyruam t’i publikojmë me 20 ditë vonesë”, theksoi Moisiu.
Dosjet dhe fushata politike
Ish-presidenti deklaroi se nuk kanë hyrë në çështjen e vlerësimit të kandidatëve, nëse janë me dosje ose jo, pasi dokumentet nuk ekzistojnë më të plota. “Unë ju them një gjë siç më kanë informuar mua, ai që drejton punën që hulumtuan të dhënat nga Ministria e Drejtësisë janë marrë me shumë vështirësi. Jo të marrësh të dhëna nga dosjet e sigurimit të shtetit, pasi janë bërë çorap me këtë punë. Në 1992 pati disa djegie në atë kohë, pati disa arrestime në atë kohë dhe në 1997 pati sërish disa djegie. E ka thënë edhe Klosi (ish-shefi i SHIK) këtë. Është një thertore me ca emra. Nuk ka asnjë kopje, nuk ka gjë se janë interesuar njerëzit, qoftë individët, qoftë edhe ca persona të tjerë që i kanë përdorur janë përpjekur dhe interesuar për t’i rregulluar këto. Seç ka ca emra vetëm kaq, s’ka asgjë tjetër”, deklaroi Moisiu. Kreu i shtetit bëri i thirrje partive të mos e acarojnë situatën me deklaratat e tyre, çka u vërejt edhe javën e kaluar.
Pas listës së kandidatëve “të pa denjë”
Tavo padi Moisiut, 5 milionë dëmshpërblim
TIRANE – Vetëm një ditë pas kallëzimit në prokurori, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo, ka depozituar dje në gjykatën e kryeqytetit padinë në ngarkim të ish-presidentit Alfred Moisiu. Sipas burimeve pranë gjykatës, mësohet se Tavo ka depozituar një ankim ku kërkon fillimin e një procedimi penal për ish-presidentin Moisiu, për veprën penale të “shpifjes”. Gjithashtu ai kërkon prej tij edhe një shpërblim dëmi prej 5 milionë lekësh të rinj. Ndërsa kandidati tjetër për deputet i PS-së, Asllan Dogjani, e depozitoi dy ditë më parë të njëjtin ankim në gjykatën e kryeqytetit. Kandidati për deputet Tavo, depozitoi ankimin në gjykatë pas publikimit të një liste me emra kandidatësh, që sipas koalicionit për Parlament të Pastër të kryesuar nga Moisiu, nuk janë të denjë për të qenë deputetë. ar.ba
Reagimi i kandidatit për deputet të PR-së në Berat
Veliaj: Moisiu të më dëmshpërblejë me 200 mijë euro për dëmin moral
Kandidati i parë i Partisë Republikane për Qarkun e Beratit dhe Presidenti i UFO University, Astrit Veliaj, paditi dje përfaqësuesin e Koalicionit për Parlament të Pastër, ish–Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu. Shkak për këtë padi janë të ashtuquajturat, sipas tij, rezultate të bëra publike në media nga ish-presidenti Moisiu, të cilat e cilësojnë kandidatin e PR-së si kandidat të papërshtatshëm për të përfaqësuar qytetarët në Parlament. “Dëmi moral i shkaktuar ndaj kandidatit Astrit Veliaj, që ish-presidenti Moisiu mund ta paguajë deri në 200.000 euro, është pasojë e një raporti që në asnjë moment nuk shpjegon etalonimin e sistemit të pikëzimit, mbi çfarë kriteresh është ngritur ky sistem dhe cilat janë faktet që e bëjnë këtë kandidat të padenjë për të përfaqësuar qytetarët”, shprehet në një deklaratë për shtyp kandidati republikan. Akuza e ngritur ndaj ish–Presidentit Moisiu lidhet me mungesën e transparencës së këtij raporti, i cili nuk bën publik metodikën e hulumtimit dhe mjetet me të cilat ka zbardhur të shkuarën e kandidatëve. Kandidati Astrit Veliaj përfaqëson Partinë Republikane në qarkun e Beratit, një forcë politike e themeluar që prej vitit 1991. Sipas njoftimit për shtyp nga kjo parti, “ai është modeli i njeriut që me mundin dhe djersën e tij ka ngritur një universitet privat me standarde europiane. Veliaj është investitori dhe biznesmeni i cili ka pasur gjithmonë në vëmendje kontributin moral dhe financiar për kategori të brishta sociale, të cilëve u ka dhënë mbështetje”. “Presidenti i Ufo University ka dhënë bursa studimi për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës, ashtu sikurse ka kontribuar financiarisht për fëmijët jetimë, suport për të cilin është vlerësuar me medaljen e mirënjohjes nga Instituti Kombëtar i fëmijëve jetimë. Veliaj ka firmosur dhjetëra bursa studimi për nxënësit më të mirë të shkollave të mesme dhe bursa ekselence për studentët e tij me rezultate të shkëlqyera, duke i hapur kështu rrugë perspektivave sociale që sjellin ndryshimin dhe përmirësimin e shoqërisë. Përsa i përket precedentëve penalë, Astrit Veliaj nuk është përfolur asnjëherë mediatikisht, ashtu sikurse është i pastër përpara drejtësisë”, thuhet në përshkrimin e figurës së këtij kandidati.