E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, 250 mijë votues pa karta

 

Aristir Lumezi

Ministria e Bren-dshme dorëzon në KQZ dhe partive politike listat e kartave të identitetit. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, u shpreh dje se kanë aplikuar për karta identiteti 1 milion e 446 mijë shtetas, ndërkohë që një numër i madh kartash mbeten për t’u tërhequr në zyrat pranë. Konja u bëri thirrje shtetasve që kanë aplikuar për karta të shkojnë dhe t’i tërheqin ato pranë qendrave të shpërndarjes së tyre. Ndërkohë që mbeten 256 mijë votues pa karta, të cilët nuk disponojnë pasaporta për jashtë. “Ka përfunduar përpunimi i të gjithë të dhënave për qytetarët që aplikuan për letërnjoftime elektronike. Pas përfundimit të këtij procesi po dërgojmë sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe tek partitë politike të interesuara; 1-listën emërore të zgjedhësve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik; 2- listën emërore të zgjedhësve që e kanë tërhequr letërnjoftimin elektronik; 3- listën emërore të zgjedhësve pa pasaportë që nuk u paraqitën për të aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Lista e zgjedhësve që duhet të tërheqin letërnjoftimet pranë zyrave të aplikimit është e rifreskuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Po kështu, në këtë faqe do të vendosen edhe informacionet që dërgohen sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë qytetarëve shqiptarë të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet elektronike”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Çështja e kartave të identitetit ka qenë pika më e nxehtë e kësaj fushate zgjedhore, pasi socialistët kanë mbajtur qëndrime të ashpra ndaj qeverisë, nga e cila kanë kërkuar dhënien falas kartës së identitetit për disa kategori sociale me burime të pakta financiare. Përfaqësuesit e lartë të OSBE-ODIHR, të cilët morën që me ardhjen e tyre takime me drejtuesit e partive politike, janë informuar prej tyre se “160 mijë deri në 270 mijë shqiptarë janë jashtë shtetit si emigrantë ekonomikë”. Socialistët kanë pretenduar që në nisje të procesit se numri i shtetasve pa pasaportë në Shqipëri është rreth 730 mijë, ndërsa ka kërkuar vazhdimisht nga qeveria informacione mbi numrin e atyre që nuk kanë aplikuar dhe janë pa pasaportë. Madje, ata kanë kushtëzuar marrjen e një vendimi të tyre politik për zgjedhjet mbi bazën e këtij informacioni. Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me kartat e identitetit filloi në 12 janar 2009. Ky proces tashmë pothuajse është shtrirë në të gjithë vendin, ku aktualisht janë 500 stacione aplikimi, përfshirë edhe skajin më të largët. Pajisja e shtetasve shqiptarë me letërnjoftime elektronike është e lidhur ngushtë me Kodin e ri Zgjedhor, i cili përcakton se votuesit në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009, do të jenë të detyruar të votojnë vetëm me dy dokumente të rëndësishme, letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat aktuale për udhëtim jashtë shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›