E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Gaba”,Gjykata e Lartë rrëzon Presidentin Topi dhe KLD-në

 

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Lartë rrëzon KLD-në dhe Presidentin e Republikës, duke rikthyer në punë ish-kryetaren e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba. Ashtu siç pritej, prej ditësh, kohë para zhvillimit të seancës, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e KLD-së për shkarkimin e Gabës. Nga i njëjti vendim, i cili u shpall pasditen e djeshme përfituan edhe dy ish-vartësit e Gabës në Apelin e Vlorës, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, që gjithashtu ishin penalizuar si bashkëpunëtorë të Gabës në një çështje të gjykuar në dhjetor të vitit 2005. KLD-së i mbetet vetëm si zgjidhje ankimi në Gjykatën Kushtetuese i këtij vendimi. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë shqyrtuan dje njëri pas tjetrit ankimet e tre ish-gjykatësve të Apelit të Vlorës, të shkarkuar nga KLD-ja në fillim të vitit të kaluar pasi u gjetën me shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, duke cenuar rëndë imazhin e gjyqtarit. Që në fillim, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, tha se çështjet për të tre gjykatësit do të shqyrtoheshin nga fillimi për faktin se një pjesë e mirë e gjykatësve të këtij institucioni ishin ndryshuar dhe nuk kishin informacion për procedimet disiplinore të tre ish-gjykatësve të Apelit Vlorë. Gjykatësi Fatos Lulo, relator i kësaj çështjeje, pohoi se sipas KLD-së, Gaba akuzohej të kishte shpallur një vendim gjyqësor fiktiv më 23 dhjetor 2005, në kohë kur gjykatësi Vasil Hanxhari ka qenë në Maqedoni dhe jo i pranishëm në Gjykatën e Apelit Vlorë. Më tej gjykatësi Lulo tha se pohoi se Gaba ka marrë pjesë dy herë në gjykimin e një çështjeje civile në Apelin e Vlorës. Në bazë të këtyre shkeljeve, sipas tij, KLD-ja e kishte shkarkuar Gabën nga detyra e gjykatëses dhe për pasojë humbte edhe postin e kryetares së Apelit Vlorë. I pari e mori fjalën avokati Agim Hysi, mbrojtës i ish-kryetares Gjinovefa Gaba, i cili parashtroi para kolegjeve se klientja e tij ishte shkarkuar padrejtësisht. Avokati pranoi se vërtet ishte bërë një gabim në datën e vendimit të shpallur në kohën kur Vasil Hanxhari, anëtar i trupit gjykues ndodhej në Maqedoni, por sipas avokatit ky ishte gabim i sekretares së seancës dhe kancelarit të institucionit, i cili e kishte numërtuar këtë vendim sipas rregullave. Duke e quajtur gabim njerëzor, gjykatësit e shkarkuar pohuan se në lidhje me të ishte marrë masë disiplinore ndaj sekretares. Ndërsa në lidhje me akuzat e tjera ndaj Gabës, avokati nuk dha shpjegime. Po kështu vetë Gaba nuk preferoi të fliste, duke pohuar vetëm se ishte dakord me çfarë pretendoi avokati i saj. Përfaqësuesit e KLD-së pohuan se vendimi i marrë nga ky institucion më 31 janar 2008 duhet të mbetej në fuqi. Pasi paraqitën arsyet në mbrojtje të vendimit të KLD-së, dy përfaqësuesit e Këshillit u gjendën nën trysninë e pyetjeve tendencioze të gjyqtarëve Shpresa Beçaj, Adrian Dvorani, Spiro Spiro dhe Besnik Ymeraj, të cilët e lidhën shkarkimin nga detyra të Gabës me kallëzimin penal që bëri Ministria e Drejtësisë ndaj saj në Prokurorinë e Kavajës. "Tashmë që çështja ndaj Gabës është pushuar nga Prokuroria për mosprovim të akuzave 'shpërdorin detyre' e 'falsifikim dokumentesh', a ka vlerë të mbetet në fuqi shkarkimi i kësaj gjykatëseje nga KLD-ja?", ishte një nga pyetjet që iu drejtua disa herë përfaqësuesve të KLD-së prej gjyqtarëve me tendencën për të shfajësuar Gabën. Përfaqësuesit e KLD-së u përgjigjën se Këshilli ishte bindur se Gaba kishte kryer shkelje dhe e kishte shkarkuar nga detyra, dhe se kjo gjë kishte ndodhur shumë kohë para se ajo të denoncohej në prokurori nga ministri i Drejtësisë. Pas çështjes së Gabës, Kolegjet e Bashkuara shqyrtuan edhe ankesat e dy gjyqtarëve të tjerë, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, ndërsa në orën 16:40 të pasdites së djeshme shpalli prishjen e vendimeve të KLD-së për shkarkimin e tyre dhe rikthimin sërish në radhët e togave të zeza.

Gaba, 15 shkelje për tre vite

Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, i cili kontrolloi Gjykatën e Apelit Vlorë në qershor të vitit 2006 gjeti shkelje të shumta të kryera nga ish-kryetarja Gjinovefa Gaba, qoftë nga ato që kishin të bënin me administrimin e institucionit, por edhe nga ato që kishin të bënin me ushtrimin e detyrës së gjykatëses.

KLD: Gaba cenoi rëndë imazhin dhe integritetin e gjyqtarit
TIRANE - "Gjinovefa Gaba kishte cenuar rëndë imazhin dhe integritetin e gjyqësorit me abuzimet dhe shkeljet që ishin gjetur në Apelin e Vlorës dhe dosjet e shqyrtuara prej saj". Kështu e argumentoi vendimin e shkarkimit të saj nga detyra Këshilli i Lartë i Drejtësisë, më 31 janar të vitit të kaluar. E denoncuar nëpërmjet ankesave dhe letrave të shumta të qytetarëve, Gaba u gjet me shkelje të rënda nga një kontroll i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë gjatë qershorit 2006. Veç të tjerash, inspektorët zbuluan në Gjykatën e Apelit të Vlorës shkelje flagrante të ligjit dhe abuzime me dosjet civile e penale të shqyrtuara në këtë institucion. Një nga rastet ekstreme të abuzimeve ishte falsifikimi i një vendimi gjyqësor në emër të gjykatësit Vasil Hanxhari, kur është provuar se ky ditën e shpalljes së vendimit ka qenë në Maqedoni. Ish-drejtuesja e Apelit të Vlorës, Gjinovefa Gaba, e akuzuar publikisht nga dhjetëra qytetarë që kanë denoncuar përgjatë dy viteve abuzimet e saj në detyrë, u akuzua përpara KLD-së për abuzime në dhjetëra dosje të shqyrtuara prej saj. Menjëherë pas shkarkimit Gaba u padit në prokurori për "shpërdorim detyre" dhe "falsifikim dokumentesh".                                          f.m.

Gjinovefa Gaba
Ish-kryetarja e Apelit Vlorë u akuzua në KLD të kishte falsifikuar vendime gjyqësore, si dhe me rreth 15 shkelje të kryera nga qershori 2004 në qershor 2007. Po kështu, ministri i Drejtësisë që kërkoi procedimin disiplinor të saj e akuzoi për paaftësi në ushtrimin e detyrës, dhënie vendimesh sipërfaqësore, abuzim me ligjin, keqinterpretim i legjislacionit penal, mosadministrim i dokumentacionit të gjykatës dhe shkelje të procedurave me shortin e gjykatës.

Hanxhari e Ngresi
Dy ish-kolegët e Gjinovefa Gabës, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi u shkarkuan në shkurt të vitit të kaluar pasi inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë kishte gjetur fakte në ngarkim të tyre për falsifikimin e një vendimi gjyqësor, ku ishin anëtarë të trupit gjykues që kryesohej nga Gaba. Hanxhari, në cilësinë e relatorit të çështjes ndodhej në Maqedoni ditën që ishte shpallur vendimi, kurse Ngresi e kishte firmosur në mirëbesim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›