“Lista e zgjedhësve sipas standardeve evropiane”
Ministria e Brendshme ka reaguar dje ndaj pretendimeve të Partisë Socialiste, sipas së cilës në listat e zgjedhësve ka qytetarë mbi 100 vjeç. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i këtij dikasteri, Fatmir Konja, theksoi se është i vërtetë fakti që në këto lista të shpallura tashmë për 28 qershorin, ka zgjedhës mbi 100 vjeç, por sipas tij këta zgjedhës nuk mund të hiqen nga listat nëse familjarët e tyre nuk i deklarojnë ata të vdekur. “Lista përfundimtare e zgjedhësve është një listë e hartuar dhe konfirmuar zyrtarisht nga çdo kryetar, i çdo njësie të qeverisjes vendore. Është e vërtetë që në listat e zgjedhësve ka një numër qytetarësh me moshë mbi 100 vjeç, por përsa kohë ata ligjërisht janë shtetas që nuk janë deklaruar të vdekur nga familjarët e tyre, siç e parashikon ligji, askush nuk mundet t’i fshijë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve”, theksoi zëdhënësi Konja. Sipas tij, “Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standardeve më të mira evropiane. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri lista paraprake e votuesve u shpall 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, duke ofruar mundësi të plota për çdo qytetar të kontrollonte dhe korrigjonte gabimet e mundshme në atë listë”. Por në të njëjtën kohë Ministria e Brendshme rrëzoi pretendimin tjetër të PS-së lidhur me zgjedhësit e moshës 90 vjeç. Konja tha se jo çdo shtetas i kësaj moshe mund të konsiderohet i vdekur. Duke u ndalur në aplikimin e qytetarëve për kartat e identitetit, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme bëri të ditur se ky proces mbyllet në 15 qershor dhe pas kësaj date listat e qytetarëve që kanë aplikuar dhe atyre që nuk kanë mundur të aplikojnë do t’u jepen edhe KQZ-së dhe partive politike. “Në lidhje me procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, Ministria e Brendshme sqaron edhe njëherë opinionin publik, forcat politike dhe të gjithë aktorët e interesuar, se pas datës 15 qershor, sapo të mbyllet procesi i aplikimeve për të gjithë qytetarët pa pasaportë, do të dërgohet pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe forcave politike të interesuara, lista e plotë e të gjithë shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, si dhe lista e plotë e të gjithë shtetasve pa pasaportë që do të mbeten pa u paraqitur për të aplikuar”, tha më tej zëdhënësi Konja.