PS: Kartat, 10 % nuk votojnë dot
Aristir Lumezi
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë se po përpiqet të manipulojë zgjedhjet përmes kartave. Sekretari socialist për çështjet zgjedhore, Kastriot Islami, dje në një konferencë për shtyp, duke sjellë të dhëna për parregullsi në lista, në procesin e pajisjes me karta, por dhe mungesën e informacionit nga ana e Ministrisë së Brendshme u shpreh se, “situata kaotike me shpërndarjen e letërnjoftimeve për të gjithë ata që kanë aplikuar dhe terr i plotë informativ nga ana e Ministrisë së Brendshme. Parashikimet e PS-së po vërtetohen çdo ditë”. “Situata vazhdon të mbetet e rëndë dhe zgjedhjet shumë të rrezikuara. Tipari themelor aktualisht është: Situatë kaotike me shpërndarjen e letërnjoftimeve për të gjithë ata që kanë aplikuar dhe terr i plotë informativ nga ana e Ministrisë së Brendshme. Parashikimet e PS-së po vërtetohen çdo ditë. Numri i votuesve pa pasaportë që nuk do të kenë në dorë letërnjoftimin, pra që nuk do të kenë mundësi të votojnë, do të jetë shumë më i lartë se 10 për qind”, u shpreh Islami. Ai akuzoi Ministrinë e Brendshme se nuk jep asnjë informacion rreth numrit të shtetasve që kanë marrë në dorë letërnjoftimin elektronik dhe jo numrin e shtetasve që kanë aplikuar. “Shifrat që jep Ministria e Brendshme janë të pakuptimta dhe nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet në Shqipëri. Nuk është e rëndësishme se paskan aplikuar rreth 1.3 milionë, kur Qeveria nuk është në gjendje, apo nuk dëshiron të japë shifrën sesa votues pa pasaportë kanë marrë në dorë letërnjoftimin dhe këtë shifër nuk e ka dhënë asnjëherë. Nuk ka asnjë rëndësi shifra prej 1.3 milionë aplikimesh kur emrat në të katër CD-të e dërguara nga Ministria e Brendshme nuk merret vesh nëse kanë aplikuar apo nuk kanë aplikuar, gjë që do ta zgjidhë Prokuroria e Përgjithshme”, u shpreh Islami. Sipas tij, “nuk ka asnjë vlerë për zgjedhjet shifra prej 1.3 milionë aplikimesh, kur Ministria e Brendshme nuk është në gjendje të thotë që nga lista përfundimtare e zgjedhësve se cilët emra janë me pasaportë, cilët janë me letërnjoftim dhe cilët janë as me pasaportë dhe as me letërnjoftim”. Sekretari socialist hodhi akuza dje edhe ndaj aktivitetit të kompanisë që merret me prodhimin e kartave të identitetit. “Shqetësuese këto ditë është bashkëpunimi i dyshimtë i qeverisë me kompaninë koncesionare ‘Aleat’. Askush nuk e kupton përse ‘Aleat’ nuk publikon tek dera e zyrës së aplikimit emrat e të gjithë atyre që i ka ardhur letërnjoftimi, që të mos sorollaten. Askush nuk e kupton që nga 1936 votues pa pasaportë në komunën Poshnjë, 740 aplikantëve iu thuhet pas disa javësh se iu është djegur aplikimi, kur procesi i aplikimeve mbaron nesër”, tha Islami. Sipas PS-së, ajo që vihet re në listat e votuesve është edhe një numër i madh zgjedhësish me moshë mbi 100 vjeç. Sipas tij, ky numër shkon në disa mijë. “Në listat e votuesve rezulton se Shqype Hasibja, 159 vjeç, nga Shkallnuri, në komunën Rrushbull të Durrësit, është prezent për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Janë mbi 17 mijë shqiptarë, gati sa dy mandate deputetësh, me moshë mbi 90 vjeç deri te mosha e Shqypes 159 vjeçe. Mbi 5 mijë votues me moshë mbi 100 vjeç dhe rreth 3300 votues me moshë mbi 110 vjeç”, tha Islami.
Akuzat e PS
Situatë kaotike me shpërndarjen e letërnjoftimeve për të gjithë ata që kanë aplikuar Terr i plotë informativ nga ana e Ministrisë së Brendshme Mbi 10% të shqiptarëve po i mohohet e drejta e votës Shifrat e Ministrisë të pakuptimta, jepet vetëm numri i aplikimeve Ministria nuk jep numrin e shtetasve që kanë marrë në dorë kartat “Aleat” nuk publikon emrat e shtetasve që kanë gati kartat Me mijëra shtetas në lista mbi 100 vjeç Qeveria dështoi dhe teknologjinë moderne