Far West në Bulqizë, lufta mes bandave lë të vdekur kalimtarin
BULQIZË – Bulqzia është kthyer në Far West. Lufta mes grupeve rivale për posedimin e mineralit të krimit shkaktoi dje viktimat e radhës. Një kalimtar i rastësishëm gjeti vdekjen dhe dy të tjerë u plagosën nga përplasja me armë mes dy grupeve, të cilat kanë bërë luftë në mes të qytezës minerale. Qytetari i pafajshëm që humbi jetën është shtetasi Fehmi Kurçami, me profesion minator, babai i tre fëmijëve. Policia lokale është vënë në ndjekje të autorëve, të cilët dyshohen se janë persona me precedentë penalë, të njohur si grupi i Durriqeve dhe ai i Ilirjan Jangullit. Për kapjen e tyre janë vënë në dispozicion të forcave të rendit të gjitha mjetet e duhura, përfshirë edhe një helikopter. Mbrëmë u vetëdorëzua shtetasi Ilia Duriqi, një nga personat e pranishëm në konfliktin me armë mes grupeve. Ndërsa kërkimet kanë vijuar në gjithë qarkun e Dibrës, madje edhe në Maqedoni. Dy personat e tjerë të lënduar janë dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhen në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Kjo ngjarje vjen pas një sërë konfliktesh me armë, të cilat kanë shkaktuar edhe viktima mes individëve që kontrollojnë shitjen e kromit që del nga minierat e Bulqizës.
Lufta
Një betejë e ashpër me armë ndodhi dje paradite në qytetin e Bulqizës mes dy grupeve, ku ka mbetur i vrarë një person dhe 2 të tjerë janë plagosur. Të tre këta persona kanë qenë të rastësishëm në vendin ku ndodhi përplasja me armë. Viktima është 48-vjeçari Fehmi Kurçami, banor në rrethin e Bulqizës. 48-vjeçari mbeti viktimë e sulmit të grupeve rivale, pasi kishte zbritur në qytet për të bërë noterinë e një prone. Dëshmitarët okularë që panë të gjithë skenën e krimit, thonë se Kurçami është kapur nga plumbat sapo doli nga dera e noterisë, teksa po ecte në trotuar. Plumbat nuk kanë kursyer edhe dy kalimtarë të tjerë të rastit, ndërkohë që janë dëmtuar mjaft automjete dhe banesa pranë. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi vetëm pak metra larg Bashkisë së qytetit, kur grupet rivale, njëri në një automjet dhe tjetri në këmbë, në mes të qytetit, kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit duke përdorur një arsenal të tërë armësh në prani edhe të dhjetëra qytetarëve. Sipas disa burimeve policore dyshohet se gjatë këtij sulmi të pazakontë të jenë përdorur tre automatikë dhe tri pistoleta. Pas të shtënave të shumta, personat e armatosur që ishin brenda në makinë dhe që kanë hapur të parët zjarrin, janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së Peshkopisë, duke lënë në mes të qytetit viktimën dhe dy të plagosurit.
Operacioni
Policia ka identifikuar anëtarët e dy grupeve rivale që bënë luftën me armë në mes të qytetit. Mbrëmë është prangosur Ilia Duriqi, 38 vjeç, person i pranishëm në konfliktin me armë zjarri të ndodhur mes dy grupeve në qendër të qytetit të Bulqizës. Disa burime nga vendngjarja thanë se 38-vjeçari është vetëdorëzuar në momentin e fundit, pas ndjekjes disaorëshe nga policia. Ndërkohë forcat e rendit kanë shpallur në kërkim edhe katër persona të tjerë. Policia ka ngritur disa postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit, ndërsa dy të plagosurit janë transportuar menjëherë në spital ku dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia është vënë në gjurmim të dy personave që hapën zjarr nga makina, për të cilët dyshohen të jenë larguar në drejtim të Maqedonisë.
Një helikopter i Policisë së Shtetit ka mbërritur pasditen e djeshme në Bulqizë, ku është vënë në dispozicion të operacionit të kërkimit për kapjen e autorëve. Personat me iniciale L. Jangu dhe D. Gjepa kanë qenë në konflikt me dy shtetas, anëtarë të familjes Duriqi. Katër personat që përdorën armët në konflikt janë të dyshuarit për vrasjen e kalimtarit dhe plagosjen e dy shtetasve të tjerë.
Gjatë viteve të fundit kanë ndodhur konflikte mes personave që janë të përfshirë në nxjerrjen dhe shitjen e mineralit të kromit nga minierat e Bulqizës. Me gjithë ndërhyrjet e policisë, ka qenë e pamundur që të shmangen përplasjet me armë dhe viktimat.
Sot vendoset shtylla e re e tensionit të lartë, hetime për të ndaluarin
TIRANË - Operatori i Sistemit të Transmetimit nis sot punën për zëvendësimin e shtyllës së tensionit të lartë të dëmtuar nga shpërthimi me lëndë plasëse natën e 30 dhjetorit në afërsi të Fushë-Krujës. OST-ja ka njoftuar se për këtë qëllim do të bëjë stakim të linjës 220 kilovolt Tiranë-Elbasan dhe për pasojë do të ketë kufizime të energjisë në mjaft qytete të vendit. Kufizime energjie do të ketë në Durrës, Rrogozhinë, Kavajë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Sarandë, Përmet dhe Këlcyrë.
Mbrëmjen e 30 dhjetorit, pranë fshatit Bilaj, rreth 8 km larg nga Fushë-Kruja, u dëmtua me lëndë eksplozive shtylla me konstruksion metalik e tensionit 400 kilovolt, si rezultat i një shpërthimi të fuqishëm, duke lënë pa energji banorët e zonës në afërsi të Aeroportit të Rinasit. Policia e Krujës ndaloi shtetasin Julian Shota, i dyshuar për përfshirje në tritolvënie. Gjatë operacionit për kontrollin e banesës së tij policia gjeti edhe një armë zjarri.
Procesi i Remzi Hoxhës, mbërrin dëshmia kyçe e Avdyl Loshajt
TIRANË - Dëshmia kyçe për procesin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas ka mbërritur në Tiranë. Avdyl Loshaj, një nga personat që u rrëmbye nga SHIK-u në vitin 1995 bashkë me Hoxhën, por që arriti të mbijetojë, ka rrëfyer për herë të parë pas 16 vjetësh në lidhje me këtë ngjarje misterioze.
Burimet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se i mbijetuari i torturave të SHIK-ut në vitin 1995 është marrë në pyetje nga autoritetet e drejtësisë kosovare. Mësohet se marrja në pyetje është kryer javën e fundit të dhjetorit, ndërsa Avdyl Loshaj gjendej në shtetin kosovar. Ende nuk dihen detaje të dëshmisë së tij dhe pritet që ajo t’u përcillet zyrtarisht institucioneve shqiptare. Dëshmia e tij konsiderohet kyçe për të hedhur dritë mbi fatin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Avdyl Loshaj u gjet në Holandë pas gati 12 vitesh nga zhdukja e Remzi Hoxhës. Gjykata pati nisur 2 letër porosi drejt Holandës, që nuk u ekzekutuan dot. Ai është dëshmitar okular në rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndërsa pas torturave të SHIK-ut u shtrua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, prej ku u hodh nga kati i tretë duke arritur kështu të mbijetojë. Më pas u largua jashtë vendit dhe ka jetuar për një kohë të gjatë në Holandë. Për këtë ngjarje të rëndë akuzohen tre ish-punonjësit e SHIK-ut: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Ata akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si dhe rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt dhe të Ziso Kristopullit. Sefgjini dhe Koldashi gjykohen në gjendje të lirë, ndërsa Kumbaro ndodhet në Britaninë e Madhe.
6 Janar 2011