Lista zyrtare, Berisha, negociata deri pas mesnate
Përfshihen në listën e sigurt ministrat, disa zv/ministra dhe këshilltarë. Në listë edhe Ksera dhe Barka. Nuk përfshihen deputetët kritikë
TIRANË- Kryeministri dhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ishte i vetmi dje ndër drejtuesit e kësaj partie që nuk ka pushuar qoftë edhe një moment nga negociatat e vazhdueshme për listën përfundimtare të 140 deputetëve.
E ka filluar që në mëngjes më kryesinë e vogël, ka anuluar dy herë kryesinë qendrore të partisë, ka marrë pjesë vetëm për të mbajtur fjalën në Kuvendin e PD-së së Tiranës, duke e braktisur më pas, dhe sërish i është drejtuar zyrës së Kryeministrisë, për të zhvilluar takime vetëm më lidershipin e lartë të Partisë Demokratike.
Shumica e deputetëve nuk kanë qenë në dijeni të asnjë negociate, ndërkohë që Kryeministri Berisha ka vijuar me heqje dhe zhvendosje kandidatësh deri pas mesnate, për të bërë publike vetëm sot listën zyrtare të Partisë Demokratike.
Ajo që është e sigurt në listën që do të marrë sot formën zyrtare, është fakti se Berisha ka përfshirë të gjithë ministrat dhe disa prej zv/ministrave si, Gent Strazimiri, Edi Harxhi, Jorida Tabaku, Paulina Hoti. Nuk mungojnë në listën e kandidatëve fitues edhe këshilltarët e tij më të afërt, si Zana Guxholli, Selami Xhepa, Myqerem Tafaj, Mimoza Vokshi dhe Ylli Asllani.
Ndërkohë, thuajse pashpresë duket gjendja për disa deputetë që kryesisht janë njohur për zërin e tyre kritik dhe mbështetës të Presidentit Bamir Topi. Kandidatura të tilla si, Sali Shehu apo Aleksandër Biberaj, nuk lakohen në listën përfundimtare, ose më saktë në atë fituese për deputetë.
E vështirë duket situata edhe për Dashnor Sulën, i cili mund të jetë deputeti i pestë në Qarkun Elbasanit, aq sa në fakt PD-ja pretendon se do të marrë. Ndërsa deputeti tjetër, ai i Laçit, Pal Dajçi, nuk figuron ende në listën fituese.
Ajo që të bie në sy në listën thuajse përfundimtare, është se Kryeministri Sali Berisha ka përfshirë në listën e kandidatëve fitues edhe dy përfaqësues të PBDNJ-së, që së fundmi deklaruan shkëputjen nga kjo parti si, Spiro Ksera, që do të jetë i dyti në Gjirokastër, duke rrezikuar Ilir Rusmalin, i cili mund të zhvendoset në Tiranë, dhe Kosta Barkan, që ka marrë një vend të sigurt në Qarkun e Vlorës.
E njëjta situatë duket edhe nga kandidatet femra. Deri më tani, kandidate të sigurta, krahas Jozefina Topallit, Majlinda Bregut, Arenca Trashanit, Lajla Përnaskës, tri zv/ministreve, Edit Harxhi, Jorida Tabaku, Paulina Hoti, apo edhe dy këshilltareve, Zana Guxholli dhe Mimoza Vokshi, është përfshirë edhe emri i aktores së njohur, Rajmonda Bulku.
Megjithatë, si asnjëherë tjetër, Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar takime tepër të ngushta, duke shmangur kryesinë qendrore, dhe "injoruar" një pjesë të konsiderueshme të deputetëve aktualë.