Ujërat e zeza "mbi" Gjirokastër, s'merret asnjë masë
PROBLEMI/ Shumë prej lagjeve të qytetit të gurtë nuk kanë rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza
GJIROKASTËR- Ujërat e zeza prekin çdo lagje të qytetit të Gjirokastrës. Prej disa kohësh shpërthimet janë të pranishme kudo, duke sjellë shqetësime të konsiderueshme për banorët, ndërsa ndërmarrja e ujësjellës- kanalizimeve nuk ka fonde në dispozicion për t'u paraprirë apo për t'i përballuar këto situata.
Dhjetëra shqetësime ngrihen çdo ditë për shkak të ujërave të zeza që dalin në sipërfaqe, duke krijuar kështu probleme të shumta. Në të gjitha lagjet, duke filluar nga ato të sipërme e në zonat e tjera ka shpërthime të tilla, të cilat bëhen më shqetësuese gjatë ditëve të fundit, kur temperaturat janë rritur ndjeshëm.
Prej kohësh situata është e tillë. "Probleme hasen në të gjithë qytetin, ku ka bllokime për shkak të tubacioneve me diametër të vogël, si dhe për faktin se në pjesët e sipërme e në zonat e reja urbane Gerhot, Kodër Shtuf, Mane, SMT nuk ka rrjet të kanalizimeve të ujërave të zeza, por gropa septike.
Ndërtimi i rrugëve në qytet është shoqëruar edhe me rrjet të ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, por ndërmarrja nuk disponon dokumentacion tekniko-ekonomik për këto investime. Si rrjeti i ujësjellësit, ashtu edhe ai i kanalizimeve janë në gjendje mjaft kritike dhe kërkohet një investim shumë i madh financiar",- shprehet drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizime, Dashmir Qeli.
Faktit që një pjesë e mirë e lagjeve të qytetit të Gjirokastrës nuk kanë rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza, i bashkangjitet edhe mungesa e fondeve për të ndërhyrë në ato zona ku rrjeti ekziston dhe është tejet i degraduar.
Kështu, lagjet "Dunavat", "Manalat", "Zinxhira" dhe në Lagjen e Re që po ngrihet pranë zonës së Gërhotit nuk ka pasur asnjëherë rrjet kanalizimesh dhe gjithçka funksionon vetëm me gropa septike. Por edhe në ato zona që e kanë këtë rrjet, prej dhjetëra vitesh nuk ka pasur ndërhyrje apo investime.
Ndërkaq, drejtues të ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve në Gjirokastër, megjithëse kanë gati projektet, shprehen të pafuqishëm për përmirësimin e situatës, për shkak të mungesës së fondeve.
"Asnjëherë nuk ka pasur investime në linjat e kanalizimeve, ndërsa në të dy krahët e qytetit nuk ka rrjet. Ne kemi gati një sërë projektesh për të ndërhyrë, por e kemi të pamundur për shkak të mungesës së fondeve",- shprehet drejtori Qeli.
Si rrjeti i kanalizimeve, ashtu edhe ai shpërndarës i ujit të pijshëm në qytetin e Gjirokastrës janë tejet të degraduar, ndërsa nuk duket asnjë dritë jeshile për çelje fondesh në këtë drejtim.
Ndërkaq, burime nga bashkia e qytetit bëjnë të ditur se në buxhetin e këtij viti nuk janë parashikuar fonde për ndërhyrje si në rrjetin e ujësjellësit, ashtu edhe në atë të kanalizimeve.
Ky fakt justifikohet me fondin e paktë të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, si dhe me arsyen se ndërmarrja e ujësjellës- kanalizimeve është një shoqëri aksionere dhe si e tillë duhet të vetëmenaxhohet.
Sipas zyrtarëve të bashkisë, është e nevojshme thithja e fondeve nga qeveria shqiptare dhe donatorët e huaj për zgjidhjen e këtij problemi.