E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers, vëzhgues në zgjedhjet e qershorit

Ambasada Amerikane akrediton në KQZ 34 vëzhgues afatshkurtër. OSBE/ODIHR-i akrediton edhe 70 vëzhgues të tjerë


TIRANË - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, do të monitorojë nga afër procesin e votimit, që do të zhvillohet të dielën e ardhshme, në statusin e vëzhguesit.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje me 7 vota pro kërkesën e Ambasadës Amerikane në Tiranë për të vëzhguar me 34 përfaqësues të saj votimin e 28 qershorit, pjesë e së cilës është edhe ambasadori Uidhers, si dhe kërkesën e OSBE/ODIHR-it për të shtuar me 70 përfaqësues të tjerë ekipin e tij të monitoruesve afatshkurtër të këtyre zgjedhjeve.


SHBA


Zgjedhjet parlamentare të së dielës janë konsideruar prej faktorit ndërkombëtar si një test për certifikimin e pjekurisë së demokracisë shqiptare, ashtu edhe për vazhdimin e mëtejshëm të rrugës së saj integruese në familjen e madhe të vendeve të zhvilluara.


Më shumë sesa rezultati që do të shpallë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rëndësi për partnerët ndërkombëtarë që asistojnë vendin tonë, kanë standardet e tyre.


Për të pasur një vlerësim sa më objektiv për notën që do t'i vënë këtij procesi, por edhe për të detyruar aktorët në këtë proces që të zbatojnë rregullat e një loje të pastër, në terren, për t'i ndjekur nga afër, përveç vëzhguesve të organizatave të specializuara si OSBE-ODIHR-i, do të zbresin një pjesë e mirë e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.


Në këtë mënyrë, krahas listave të gjata të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, ditën e zgjedhjeve, në terren do të jetë dhe një ekip i veçantë vëzhguesish të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. KQZ-ja ka miratuar dje me konsensusin e të gjithë anëtarëve kërkesën e Ambasadës së SHBA-së për të pasur në zgjedhjet e ardhshme 34 vëzhgues afatshkurtër.


Bëhet fjalë jo për ndonjë ekip të veçantë të ardhur posaçërisht nga Amerika, por të gjithë trupën e përfaqësuesve amerikanë në ambasadë, përfshi këtu dhe përfaqësuesit e misioneve ICITAP-it dhe OPDAT-it. Trupa e vëzhguesve të kësaj ambasade do të drejtohet nga ambasadori Xhon Uidhers dhe zëvendësambasadori Stephen Cristina.


Krahas vëzhguesve, KQZ-ja ka miratuar edhe listën prej 21 përkthyesish që do të shoqërojnë vëzhguesit gjatë ditës së votimit. Të 34 vëzhguesit e Ambasadës Amerikane, në bazë të aktit të miratuar, do të kenë të drejtë që të vëzhgojnë të gjitha qendrat e votimit, ashtu edhe në KZAZ apo pranë grupeve të numërimit.


Megjithatë, vetë ambasada u ka bërë një ndarje përfaqësuesve të vet, ku secili prej tyre, përveç ambasadorit Uidhers që do të lëvizë në vende të ndryshme të Shqipërisë, të gjithë të tjerët do të kenë zona të veçanta vëzhgimi në të gjitha qarqet. Gjithashtu, dy përfaqësues të ambasadës do të jenë të instaluar edhe në KQZ.


Kjo është hera e parë që një ambasadë e veçantë kërkon të monitorojë vetë, me përfaqësuesit e saj, procesin zgjedhor në Shqipëri, në statusin e vëzhguesit, aq më shumë në një nivel kaq të lartë përfaqësimi, siç është ambasadori Uidhers.


OSBE/ODIHR


Pjesë e vendimmarrjes së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë dhe miratimi i një liste shtesë të vëzhguesve afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it. Bëhet fjalë për 70 vëzhgues të rinj, të ndarë këta në dy grupe, 31 vëzhgues afatshkurtër të OSBE/ODIHR-it dhe 39 të tjerë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të cilët kanë shprehur dëshirën të monitorojnë nga afër procesin e votimit ditën e diel. Ky është kontingjenti i tretë i vëzhguesve të kësaj organizate, pas 34 vëzhguesve afatgjatë që kanë mbërritur në Shqipëri që në mes të muajit maj dhe 307 vëzhguesve afatshkurtër të miratuar një javë më parë. Ashtu si edhe në rastet e mëparshme, KQZ-ja ka miratuar dhe një listë prej 59 përkthyesish që do të shoqërojnë vëzhguesit në misionin e tyre të monitorimit të zgjedhjeve më datën 28 qershor.


Vëzhguesit amerikanë

John Withers
Stephen Cristina
Paul Poletes
Shamon Bahaj
Klinton Bahaj
Emily Makely
Neal Makely
Craig Miller
Amanda Rivers
Cynthia Eldridge
David Scott
Abigail Aronson
Wally Conrad
Gary Bullard
Galina Myev
Capt. Ed Poss
Steve Morrissey
Headher Dickens
Bridget Kissinger
Steve Schneider
Karl Landgraf
Julia Klaus
Niki Nikols
Machael Wirthlin
Mark Stickevers
Anthony Baird
Megan Roberts
Kelly Cronen
Cari Bower
Carlos Dhabhar
Derek Enz
Dale Giovengo
Melinda Michels
Melissa Schraibman

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›