E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos: Qendrat e votimit, në ambiente private

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë fund dje debatit lidhur me qendrat e votimit në ambiente private


TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë fund dje debatit lidhur me qendrat e votimit në ambiente private. Gjatë mbledhjes së djeshme, që u zhvillua me dy seanca, KQZ-ja ka miratuar dhe disa qendra të fundit, të cilat ishin kundërshtuar më parë fort nga Partia Socialiste si të papërshtatshme dhe në disa raste të ngritura në ambiente, që janë pronë e militantëve të Partisë Demokratike.


Kështu, KQZ-ja ka miratuar së fundi që qendra e votimit numër 3373 në Patos, të ngrihet në minimarketin e A.R., pavarësisht se ishte ky institucion, i cili e kishte rrëzuar një herë këtë ambient si të papërshtatshëm.


Pikërisht vendimmarrja për këtë qendër është bërë objekt debati mes anëtarëve të KQZ-së, ndërsa përfaqësuesit e partive e kishin pranuar atë. Shkak është bërë ndërhyrja e anëtarit socialdemokrat të KQZ-së, Pandeli Varfi, i cili këmbënguli se ky institucion nuk mund të revokojë vendimet e tij të mëparshme. "KQZ-ja nuk ka asnjë atribut ligjor për të rimarrë të njëjtin vendim të rrëzuar.


Ne e kemi rrëzuar një herë këtë ambient, prandaj të miratojmë një tjetër", - tha Varfi. Por, ky argument nuk ka bindur anëtarët e shumicës në KQZ, të cilët e kanë miratuar ripropozimin e Bashkisë Patos me 4 vota pro dhe tre vota kundër të anëtarëve të opozitës.


Kundër, palët kanë qenë edhe për qendrën e votimit në komunën Ndërmenaz, për të cilën përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, ka theksuar se po ngrihet në ambientin e një militanti partiak demokrat. Me mbylljen e këtij procesi tashmë pritet që PS-ja të marrë një vendim nëse do t'i çojë këto qendra të miratuara pa konsensus në Gjykatën e Apelit apo jo.


Më parë ajo ka deklaruar se nuk do të dërgonte komisionerë në të gjitha ato qendra që KQZ-ja do të miratonte me forcën e kartonëve. Më kritike u paraqit situata në Kamëz, ku ishin dhe rastet më flagrante të ngritjes së QV-ve në ambiente private të drejtuesve dhe anëtarëve të PD-së.


Tani, pas miratimit të vendndodhjes së të gjitha QV-ve, problematika ka kaluar tek ngritja e komisioneve të qendrave të votimit (KQV). Nga informacioni i vënë në dispozicion nga KQZ-ja, ky proces është tej çdo limiti të lejuar, ç'ka ka vënë në rrezik dhe procesin e votimit ditën e diel.


Nga burime pranë KQZ-së mësohet se, deri më tani, partitë politike që kanë të drejtë të bëjnë propozime për anëtarë KQV-së, kanë propozuar vetëm 50 për qind të emrave, ndërkohë që ky proces duhet të kishte ndodhur 45 ditë më parë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›