E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit", Moisiu përballë gazetarëve

Ish-presidenti, Alfred Moisiu është treguar i gatshëm të paraqitet në Prokurori, për t'u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij pas publikimit të raportit të koalicionit për një parlament të pastër. Gjatë emisionit "Ora e Debatit", përballë gazetarëve, Roland Qafoku dhe Pandi Gjata, ish-presidenti Moisiu, sqaroi të gjitha detajet e hartimit të raportit të bujshëm që publikoi emrat e 20 kandidateëve për deputet që nuk meritojnë të perfaqësojnë qytetarët. Por në fakt pavarësisht sqarimeve të ish-presidentit Moisiu, ky raport sërish ngjalli reagime, pasi vetëm gjatë emisionit "Ora e Debatit", deklaruan se do të ngrinin padi penale ndaj tij edhe dy kandidatëvr të tjerë, Nazmir Bilani dhe Hajrrulla Paturri, duke e çuar numrin e padive për këtë raport në katër. Moisiu gjithashtu deklaroi në emisionin "Ora e Debatit" se janë zhdukur dosjet e ish sigurimit të shtetit duke shtuar se në vitin '91 janë dëmtuar këto dosje dhe në '97-ën janë djegur pëfundimisht. Ndërsa për zgjedhjet e 28 qershorit ish presidenti Moisiu u shpreh se këto zgjedhje kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të shqiptarëve por edhe të ndërkombëtarëve duke shtuar se zgjedhjet janë ato që do të garantojnë të ardhmen e Shqipërisë në BE. Sipas tij kjo fushatë filloi me gjuhë të pabaza për spiunë dhe mafiozë duke shtuar se vrasja e kreut të PDK në Malësinë e Madhe nuk është politike. Ai shtoi gjithashtu që gjuha e përdorur nga politika lë hapësirë që ngjarje të tilla të përdoren politikisht. "Politika duhet të jetë e kujdesshme në mënyrën e të shprehurit" , theksoi Moisiu. Ndërsa për problemet e hasura me kartat e identitetit, Moisiu u shpreh se për këto probleme ai bën përgjegjëse dy forcat kryesore politike dhe kjo vjen nga mungesa e vullnetit politik. Ai shtoi gjithashtu se pika më e dobët e këtij procesi zgjedhor është mospajisja e shumë qytetarëve me kartat e identitetit . Gjithashtu Moisiu u shpreh edhe për pavarësinë e gjyqësorit duke deklaruar se politikanët shqiptarë nuk e kanë kulturën e një shteti demokratik duke shtuar se demokracia ka ndarje pushtetesh prandaj duhet që prokurorët të lihen që të punojnë në pavarësi. Ai gjithashtu shtoi se drejtësia shqiptare ka ecur përpara, por ka ende vend për të punuar. Ish presidenti Alfred Moisiu, u shpreh në studion e "Ora e Debatit" se ka bërë gati të botojë librin e kujtimeve për raportet e tij me dy kryeministrat Nano dhe Berisha.
Pak ditë me parë koalicioni "Për një parlament të pastër" publikoi një listë me 20 emra kandidatësh për deputet të cilët nuk meritojne të jenë në sallën e seancave plenare, raport ky i cili u pasua me 4 padi penale ndaj ish-presidentit, Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›