Rama: Kush prek votën, do ndiqet penalisht
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje nga Korça se mbeten edhe 5 ditë nga ndryshimi i madh. Sipas tij, vota do të ruhet për të mos u keqpërdorur nga njerëzit e PD-së
KORÇË - Kreu i opozitës, Edi Rama, ka paralajmëruar dje se të gjithë ata që do të dhunojnë votën e 28 qershorit, do të paditen penalisht për të gjitha veprimet e tyre. Madje, ai ka shtuar se vota do të mbrohet me çdo kusht, pasi fitorja i përket së majtës.
Edi Rama ka mbyllur fushatën zgjedhore në qytetin e Korçës, ku ka theksuar edhe njëherë se ndryshimi i madh i Shqipërisë po vjen dhe vetëm për pesë ditë ky vend do të ketë një tjetër fytyrë dhe një vizon të ri.
Kryetari i opozitës ka garantuar qytetarët shqiptarë se fitorja e tyre do të jetë fitorja për ndryshimin e madh të këtij vendi, ndërsa vota do të ruhet për të mos u keqpërdorur nga njerëzit e PD-së.
Sipas tij, Korça e ka dhënë shenjën e parë të ndryshimit, 20 ditë më parë, në mitingun e hapjes së fushatës elektorale, teksa e gjithë Shqipëria e ka mbështetur këtë miratim të këtij qyteti pro së majtës. "Kjo është beteja e fundit e shqiptarëve përtej së majtës dhe së djathtës. Ne do të fitojmë, se Shqipëria nuk mund të humbasë.
Ne do të fitojmë që të fitojnë të gjithë qytetarët e këtij vendi. Kjo është beteja e shqiptarëve të bashkuar kundër atij që përfaqëson politikën e vjetër, e një njeriu të vjetër, që pas pesë ditësh nuk do të jetë më pjesë e politikës shqiptare, pasi vota juaj do ta nxjerrë atë në pension",- ka shtuar më tej kryetari i socialistëve nga qyteti i Korçës.
Për sa i përket mbrojtjes së votës, Rama ka thekuar se shantazhistët e Sali Berishës nuk mund të mbajnë më peng shqiptarët me kërcënimet e tyre, ndërsa do të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që do të guxojnë të bëjnë qoftë dhe diçka të vogël ndaj votës së lirë të shqiptarëve.
Rama edhe njëherë e ka vlerësuar ekipin e deputetëve të Qarkut të Korçës, Ben Blushi, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Alfred Dalipi, si më të mirin dhe një ekip që do të jetë pjesë e Parlamentit dhe e qeverisë së ardhshme.
Kryetari i PS-së vijoi takimet në Kamëz dhe në disa njësi të Tiranës
Rama në Kamëz: Do bëjmë legalizimin
TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është angazhuar në takimin e zhvilluar dje me banorët e Kamzës, për legalizimin e të gjithë ndërtimeve aty, duke kujtuar se Kryeministri Berisha e premtoi dhe dështoi në mbajtjen e këtij premtimi.
"Berisha, - tha Rama, - edhe pse nuk e mbajti premtimin, kërkon një mandat të dytë për dështimin e tij në procesin e legalizimeve". "Katër vjet më parë, Sali Berisha erdhi këtu dhe ju tha se brenda vitit të parë të qeverisjes së tij, ai do t'i legalizonte të gjithë shtëpitë tuaja.
Ku i keni legalizimet? Kanë kaluar katër vjet, ku janë tapitë e të gjitha shtëpive tuaja, këtu në Kamëz, në të gjithë Bathoren, në Paskuqan, në Kënetën e Durrësit dhe kudo ku janë zonat informale.
Sali Berisha, këtu në Kamëz dhe në Bathore, nuk do vijë për të treguar sa bukur do e bëjë Kamzën dhe Bathoren nesër, por për të treguar se përse nuk i bëri legalizimet tuaja në katër vjet, ndërkohë që jua premtoi qysh në vitin e parë. Ato shtëpi duhet të ishin legalizuar dhe ato shtëpi do të legalizohen që të gjitha",- tha Rama.
Po dje, Edi Rama ka vazhduar turin e tij derë më derë për t'u dhënë personalisht qytetarëve të njësive 11.7 dhe 5, planin e tij për ndryshimin dhe transformimin e kryeqytetit. Ky transformim, u angazhua Rama, pas 28 qershorit do të jetë shumëfish më i madh se sa është bërë në këto 8 vjet.
Rama tha se qytetarët e Tiranës duhet të votojnë për projektin e Partisë Socialiste për të transformuar kryeqytetin, pasi sot shumë nga problemet që duken sikur janë thjesht lokale, në fakt janë çështje që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me qeverisjen qendrore.