E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-socialistëve: Votoni PD-në, se mbajmë premtimet

Kryeministri shmang Ramën dhe premton investime të mëtejshme. Inauguron TEC-in në Vlorë


VLORË - Kreu i qeverisë, Sali Berisha, zhvilloi dje një miting pasditen në sheshin e "Flamurit", nën një dekor ku ka mbizotëruar ngjyra blu.


Pas një koncerti të mbajtur nga këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë, e ka marrë fjalën kreu i demokratëve në Vlorë, njëkohësisht dhe kandidat për deputet, Ardian Kollozi, e më pas numri dy i Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, u ka bërë thirrje vlonjatëve që të votojnë për PD-në, pavarësisht bindjeve politike.


"Këto katër vite Vlora u shndërrua në epiqendrën e investimeve më të mëdha në Shqipëri. Në këtë rreth janë ndërtuar dhe po ndërtohen mbi 150 km rrugë dhe autostrada dhe mbi 100 km të tjera rrugë rurale dhe rrugë dytësore. Vlora ka sistemin e saj energjetik më të ri, më modern, më të fuqishëm.


Vlora ka sot potencialin e saj të madh turistik më gjigant se kurrë, për t'ua servirur evropianëve dhe mbarë botës. Vlora është në prag të zhvillimeve të mëdha historike",- tha Berisha. Kryeministri ka shmangur gjatë fjalës së tij, (ashtu si edhe në takimet e tjera të zhvilluar së fundmi) akuzat ndaj kryesocialistit Edi Rama. Berisha ka garantuar çdo socialist të Vlorës, se ai do të mbajë premtimet.


"Ne garantojmë çdo socialist të Vlorës, çdo qytetar të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, se ne mbajmë premtimet tona, se vota së bashku me ne është votë për integrimin europian, është votë për pensionet dhe rrogat, është votë për infrastrukturën më moderne, është votë për të veshur Vlorën, nga Konispoli në Mifol, me ullishte më të bukura dhe më të mëdha.


Unë ju premtoj fermerëve të Vlorës se qeveria ime do të financojë çdo rrënjë ulliri pa kthim, që ato do të mbjellin për veten e tyre, çdo rrënjë agrume pa kufizim dhe subvencionojë naftën dhe inpute për sipërfaqe të mbjella",- tha ai.


Kryeministri bëri thirrje që të votohet për numrin 10 në fletën e votimit. "Më 28 qershor të gjithë le të votojmë 10-ën. 10-a jeni ju qytetarët e Vlorës, 10-a është kombi, është ky shesh, sheshi i "Flamurit", 10-a janë fëmijët tuaj të mrekullueshëm, familjet tuaja të shkëlqyera, 10-a është Vlora juaj e përjetshme, 10-a është Shqipëria blu, 10-a është


Partia Demokratike, 10-a është Evropa blu, që mezi pret Vlorën dhe Shqipërinë blu për të hequr vizat në vitin e parë të mandatit tonë të dytë, është Evropa blu që pret Vlorën metropol të madh të Shqipërisë dhe rajonit, që pret Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike, vendin e zhvillimit më të shpejtë",- tha ai


Ndërsa dje paradite është inauguruar termocentrali i Vlorës, që do të vihet në funksion vetëm pas muajit shtator. Kryeministri Berisha e ka cilësuar të përfunduar edhe pse TEC-i do të prodhojë energji pas tre muajsh.


Pas shumë debatesh e polemikash, ditën e djeshme është bërë inaugurimi dhe vënia në funksion e aparaturave të termocentralit. Në inaugurimin e TEC-it merrnin pjesë Kryeministri Berisha, ambasadori italian, Sabah Delia dhe kandidatët për deputetë të qarkut.

Presidenti zhvillon takime bilaterale me presidentët e rajonit

Topi mbledh krerët e rajonit në Vlorë

VLORË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje në Vlorë një takim informal me tre presidentët e rajonit, homologun kosovar, Fatmir Sejdiu, Presidentin malazez, Filip Vujanoviç dhe atë maqedonas, Gjorgje Ivanov. Në agjendën e 4 presidentëve, përveç konferencës së përbashkët për shtyp, që do të zhvillohet sot rreth orës 11:00, është parashikuar një darkë në Rradhimë dhe një shëtitje në Llogara.


Presidentët shprehën besimin se tezat që do të diskutohen në bisedimet dypalëshe, mendimet e shkëmbyera mes tyre për çështjet më bashkëkohore dhe thelbësore, që prekin aktualisht vendet tona dhe njëkohësisht ato që shqetësojnë rajonin ballkanik në përgjithësi, po ashtu dhe vlerësimet e sugjerimet konkrete që pritet të shpalosen në to, do të jenë një tjetër kontribut me rëndësi në shërbim të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes këtyre katër vendeve fqinje në përmbushje të interesave të ndërsjella dhe në kuadër të integrimit euroatlantik.


Në mënyrë të veçantë, ata vlerësuan rëndësinë e këtij takimi në përforcimin e një imazhi të ri të këtyre vendeve. Në takimin me Presidentin e Kosovës, Kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi, rikonfirmoi qëndrimin se pavarësia e Kosovës është tashmë një realitet i ri dhe i pakthyeshëm në rajonin ballkanik.


Gjatë takimit me Presidentin e Malit të Zi, Presidenti Topi vuri në dukje se me një interes të posaçëm shikohet shfrytëzimi, por edhe zgjerimi i hapësirave ekzistuese në fushën ekonomike e tregtare, ku përparësi do të merrte krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe lehtësimi i qarkullimit të njerëzve. Ndërsa në takimin me Presidentin e Maqedonisë, të dy presidentët vunë në dukje klimën e mirë të bashkëpunimit politik në rajon.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›