E Diel, 1 Nëntor 2026

Listat, Berisha: Impakt publik pozitiv, mandat të 3-të. Rama: Tani do flasim për Shqipërinë

TIRANË- Teksa lista zyrtare e kandidatëve të PD-së nuk është zbardhur ende, kryeministri i vendit Sali Berisha, në një postim në faqen e tij personale në ‘Facebook” e ka vlerësuar listën e kandidatëve demokratë si ekipi i fitores së 23 qershorit duke theksuar se impakti që mori është pozitiv.

Berisha duke falënderuar bashkëpunëtorët e tij me të cilët po përmbush këtë mandat qeveritar, ka ftuar gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD-së, që të ecin sëbashku drejt mandatit të tretë.

“Të dashur miq! Mbrëmë në mesnatë dorëzuam listën e ekipit te ri parlamentar qeverisës, ekipit te fitores për 4 vitet që vijnë. Impakti i saj publik ishte shumë pozitiv. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të mi për kontributin dhe mbështetjen tejet të çmuar në 4 vitet që shkuan, ftoj të gjithë anëtaret, simpatizantët, mbeshtetësit e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, të ecim sëbashku drejt mandatit të tretë, mandatit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë Europiane. Fitore!”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”. 

Rama: Më në fund tani do flasim për Shqipërinë
Kreu i PS-së, Edi Rama pas dorëzimit të listës së koalicionit të majtë në KQZ shprehet i kënaqur që nuk do flitet më për lista, por për Shqipërinë.

“Më në fund s'do flitet për lista po për Shqipërinë që duam. Qysh nesër në Kopenhagen, me kryeministrin e një vendi fantastik që duam ta kemi më pranë. Drejt Danimarkes me deputetet Ditmir Bushati dhe Ermonela Felaj për të treguar programin e ambicien tonë për të rilindur Shqiperinë”, komenton Rama në një ‘Twitter’.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›