Listat, Moisiu: Emrat e 20 kandidatëve me probleme
ADI SHKEMBI
Koalicioni për Parlament të Pastër identifikon 20 kandidatë për deputetë, të cilët nuk janë të denjë të jenë në legjislaturën e ardhshme parlamentare. Pas një hulumtimi më shumë se një mujor, ky koalicion, i drejtuar nga ish-presidenti Alfred Moisiu, ka publikuar listën me emrat e kandidatëve në katër koalicione, të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura. Në krye të listës është koalicioni i djathtë me 9 kandidatë, i ndjekur nga i PS-së me 5, Poli i Lirisë me katër kandidatë dhe ai i LSI-së me 2.
Emrat
“Nga verifikimi i kryer, mbi 140 kandidatë për deputetë, rezulton që 15% e deputeteve potencial, të paraqitur si kandidat në listat zyrtare të partive politike, të jenë të papërshtatshëm për të përfaqësuar qytetarët shqiptar në Parlament”, thuhet në raportin e publikuar nga Koalicioni. Në krye të listës është koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike, e cila ka nëntë kandidatë që, sipas Koalicionit për Parlament të Pastër, nuk duhet të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Partia Demokratike ka katër kandidatë, Paulin Sterkaj, Indrit Fortuzi, Spiro Ksera e Lefter Maliqi. Të njëjtin numër me emra “të padëshirueshëm” ka edhe Partia Republikane, në listën e të cilës janë Astrit Veliaj, Hajrulla Paturri, Mehmet Spahiu dhe Vasilika Caushi. Në të njëjtën kohë në listë është edhe Pashko Ujka, kandidat i Lidhjes Demokristiane të Nikollë Lesit. Koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste ka në listën “e zezë” pesë kandidatë, ku Asllan Dogjani, Tom Doshi e Vangjel Tavo janë nga PS, Artur Duçkollari nga PDS dhe Pilo Keri nga G99. Katër kandidatë që nuk duhet të jenë në Kuvend janë nga Poli i Lirisë, një bashkim i disa forcave të djathta dhe që drejtohet nga ish-kryeministri i Partisë Demokratike, Aleksandër Meksi. Në listë janë Frrok Gjini, Jak Ndokaj e Mark Kroqi nga PDK dhe Gëzim Bocari nga LZHK. Ndërsa koalicioni i drejtuar nga LSI ka në listën e tij 2 kandidatë, Viron Bezhani i LSI-së dhe Nazmir Bilani i PSV ’91.
Kriteret
Koalicioni për Parlament të Pastër, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, u angazhua në nismën për verifikimin e përshtatshmërisë së kandidatëve për deputet, pra përfaqësuesve potencial të shqiptarëve në katër vitet e ardhshme, me vlerat dhe atributet që duhet të mbartë pozicioni i përfaqësuesit të vullnetit dhe interesit të qytetarëve. Kriteret mbi të cilat u bë verifikimi i figurave janë arsimimi; kontributi politik; kontributi publik; pastërtia ndaj precedentëve penal. Gjithashtu, një indikator tjetër, por pa peshë penalizuese apo favorizuese, ishte ai i përfoljes në media për çështje të ndryshme korrupsioni.
“Lista e zezë”
Koalicioni i PD
Astrit Veliaj PR 40 pikë
Hajrrulla Paturri PR 40 pikë
Mehmet Spahiu PR 35 pikë
Vasilika Caushi PR 40 pikë
Paulin Sterkaj PD 40 pikë
Lefter Maliqi PD 40 pikë
Indrit Fortuzi PD 25 pikë
Spiro Ksera PD 40 pikë
Pashk Ujka LDK 35 pikë
Koalicioni i PS
Asllan Dogjani PS 40 pikë
Tom Doshi PS 35 pikë
Vangjel Tavo PS 40 pikë
Artur Duckallari PDS 30 pikë
Pilo Keri G99 40 pikë
Koalicioni i LSI
Viron Bezhani LSI 40 pikë
Nazmir Bilani PSV ‘91 40 pikë
Poli i Lirisë
Frrok Gjini PDK 40 pikë
Jak Ndokaj PDK 40 pikë
Mark Kroqi PDK 40 pikë
Gëzim Bocari LZHK 40 pikë
Kriteret
Arsimimi Kontributi Politik Kontributi Publik Pastërtia ndaj precedentëve penal