E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llokma të mëdha pandehmash

(Letër e Odisesë)

Balil GJINI

1.
E dashur Penelopë!
Nuk e di se ç'avlëmend thuri qilimin e gënjeshtrës se gjasme mua, mu në mes të detit, më lidhën me ballamar te direku për të mos dëgjuar zërin magjik të sirenave. Ha, ha, ha!.. Sirenave?!.. E për ç'dreq mund të hynin në punë ato kur, ashtu siç thotë Umberto Eko, aty ku duhej të ishin femra, pra nga mezi e poshtë, ishin peshq, dhe e kundërta, aty ku duhej të ishin peshq, pra nga mezi e lart, ishin femra.
Në të vërtetë, ato ishin reklamuese firmash celularësh, mise gjithë nur e sharm, që vetëm me lëvizjen e qemerit të një vetulle të rrëzonin shakull në tokë, sikur të të kishte goditur bishti i një balenë të kaltër, kurse thellësia e kaltër e ekranit të televizorit, ku shfaqeshin ato, nuk përbën fare shkak që të merret si kaltërsi oqeani. «Blini celularë - buzëqeshnin - Me ta e ardhmja është më e afërt »

2.
E dashur grua!
Sahatit të kohës, që mban Zoti në dorë, duhet t'i jenë këputur brokullat e makaratë dhe çikrikët e tij vërtiten anapodha: nga e ardhmja drejt së shkuarës dhe herë të tjera ndalojnë fare. Po nejse... E kishim fjalën te celularët.
Imagjinoj veten time me një celular në dorë dhe gjithë ditën e lume miqtë edhe shokët, Akili, Agamemnoni, dhe ky princi i ri, Papandreu, do të më bënin vazhdimisht thirrje: Alo, Odiseja!.. Jo, jo, mos u harxho ti, të flasim vetë. Kujdes! Përpara kini disa shkëmbinj të rrezikshëm. Alo! Një ciklon po vjen drejt teje... Si, si, ç'është ky ciklop?!, do të ngatërrohesha unë... Jo ciklop, por ciklon, do të më thoshnin ata, ciklon me syrin e tij të stuhisë në ballë, kupton?!.. Kurse dallgët, që na përfshinë, i janë dukur imagjinatës suaj si desh përçorë dhe ne të fshehur poshtë barkut të tyre.
Bisedat në celular s'do të më jepnin kohë të rrija me veten, por do të m'i përmbytnin ngastrat e vëmedjes me ujëra të tepërta llogjesh, rrëkeza të vakëta thashethemesh, duke mos lejuar të sendergjëheshin aty hijet, fantazmat, apo siluetat e gjërave të mëdha.
Kali, për shëmbull, mua çosa herë më quajnë Odisea i Kalit. A do ta kishte projektuar dot, vallë, mendja ime atë kob të mrekullueshëm, jelet e kreshpëruara të të cilit shkërbenin flakët që do të përpinin Trojën, pra, a do ta kisha projektuar po të kisha një celular në dorë?
Pikërisht një nga ata celularët që në Shqipëri i mban çdo fëmijë dhjetë vjeçar dhe me të cilin mund të më telefonte: Alo, xhaxhi Odiseja i Homerit?! Hum, hum, hum! Dhe më tej: a do t'i dija, vallë, shumë sekrete që ju të tjerët as që ju shkojnë fare në mendje?

3.
Po të përmend vetëm njerin prej tyre: flijimin e Efigjenisë.
Ti e di se parlamenti i Itakës sapo kishte ndaluar me ligj martesat e baballarëve me vajzat e tyre, duke i quajtur inçeste. Por Agamemnonit, që s'kishte lexuar një rresht nga ligjërat sade të Sade-it, i brambullonin në shpirt flakët e zeza të erosit, ndaj përhapi lajmim se orakujt kërkonin një fli. Orakujt?!..
Ti e di edhe vetë se çfarë kërshëri kërkëritëse kanë njerëzit për të ardhmen, oreksi i lubishëm i tyre nuk mund të shuhet veçse me llokma të mëdha pandehmash, gjersa të dëgjohet një gromësimë veleritje prej ngopjes. Kësodore fallxhorët, arixhinjtë, shikueset e filxhaneve të kafeve, yshtëset, magjistarët, sondazhet e Gallupit apo të Sharlotës, mëtojnë të njëjtën gjë: shuajtjen e kureshtjes njerëzore për të ardhmen.
Flija e Agamemnonit ishte e bija.
Midis aktit seksual dhe flijimit ka ca rituale të përbashkëta dhe fare të ngjashme, si zhveshja ceremoniale e femrës dhe turpi prej këtij gjesti, shtrirja e saj në altar (altar dashurie quhet edhe krevati bashkëshortor), vërshimi i gjakut dhe humbja e kontrollit, rrahjet e forta të pulsit dhe shugatja e plotë e tij.
Me këtë sekret në medje, të cilin s'mund ta ftilloja po të bëja tërci-vërci me celular, koka ime ndihet mu si ajo shpella që ruan brenda një sënduq floriri.

4.
E dashur!
Ka mijra vjet që materia e qenies sime është mbështjellë me zhguaj të trashë identiteti, dhe s'ka lopatë apo skrep eskavatori që t' i heqë këta zhguaj prej andej.
Unë tani jam emigranti me loshnik hedhur krahëve, qenia që, siç thotë Aron-i, kërkon një identitet të ri në shkëmbim të një përbuzjeje të sigurt.
Jam dinaku, jam mëmëdhetari qesharak me buzën e plasur, dhe mijra e mijra fletë të bardha poezish janë shkruar rreth mallin tim për Itakën. Gjer edhe Bardhyl Londoja nga Iliria ka shkruar për mallin tim ndaj Itakës.
Profka! E di se, po të bleja një nga celularët për të cilat më cytnin miset gjysëm të zhveshura, fati im do të ishte tjetërsoj. Por edhe mua më pëlqen tashmë ky fat, më pëlqen ky lëngim i ëmbël nën zhguajt e një identiteti të rremë, mu ashtu siç i pëlqen kërmillit guaska e vet, spiralet e së cilës përmbushin idealin e bukurisë.

5.
Ti mund të çuditesh dhe të thuash me vete se ç'i është shkrepur këtij rrezikziut të më rrëfejë historira badiava kafenesh, kur të gjithë janë gati të zgjasin dorën dhe ta kalamendin në shilarësen e heroit.
T'i tregoj, sepse e nuhas sekretin e madh që e kam shkoqitur në vetmi: ti s' mund të jesh tjetër, veçse një shkrimtare që ke gjasën e madhe të rishkruash jetën time.
Por dua të t' i rrëfej të gjitha llagar.
Në fillim, kur dëgjova se ditën thurrje në avlëmënd një qilim, të cilin e shthurrje natën, kujtova se ishe merimangë. Një merimangë që endte rrjetën ndaj atyre që mëtonin t'më zevëndësonin mua në krevatin bashkëshortor.
Eh, sa sheqerake është e gjithë kjo fabul qesharake, dhe sa të prirur janë njerzit t'i besojnë ngjarjet që kanë përsipër fetës dy gishta reçel trëndafili. Me vete thashë: turp për Penelopën që s'arrin të krijojë një model të saj origjinal, por imiton Araknen.
Por, befas, urori i befasisë shkrepi në eshkë: ç'ne merimangë?! Merimanga vetëm di të thurrë, kurse ti edhe thurrje edhe shthurrje (të tjerë më kanë thënë se ty vetë të thurrnin e të shthurrnin mëtonjësit). Pra, ishe një shkrimtare, sepse vetëm shkrimtarët mund ta shndërrojnë kokën e tyre në një avlëmend, ku thurrin e shthurrin tekstin letrar. Po të mos ishte ky dallim, gjithçka do të ishte turp e faqja e zezë, sepse atë që shkrimtarët e bëjnë me kokë, merimanga e bën me bythë. Kësisoj natyra i ka vënë kufij gjithçkaje dhe është e gatshme që, fare pa gajle, atë që duket serioze ta bëjë qesharake.
E pra, të gjithë këtë punë shkrimtarie a mund ta bëje, po të mbaje një celular dhe në vend të shkruaje mbi letër, të shkruaje sms mbi ekran : i dashur, e do drekën vetëm me vezë peshku dhe gaforre, apo të gatuaj edhe ca aragosta? Dihet, ekrani i celularëve dhe faqja e facebook-u janë streha e shkrimtarëve pa çati.

6.
E dashur grua!
Këta njerëzit e sotëm janë të çuditshëm! Nga njëra anë duan vetminë, i vënë duart përanash faqeve njëlloj siç vë midhja guaskat, nga ana tjetër tërë ditën e lume u telefonojnë miqve dhe shokëve, a thua tremben nga vetmia dhe kërkojnë praninë e të tjerëve.
Jo prani fizike, përçikëse, ku mund të qeshësh, ta godasësh tjetrin te supi me dashamirësi, të pish një gotë birrë, por një prani përmes largësisë. Një prani jo për syrin, por për veshin.
Them se e gjitha kjo u vjen nga tmerri e ankthi dhe të gjitha gjërat që bëjnë, janë gjeste rituale për ta trembur vdekjen. Ose e kanë nga stresi.
Kurse ne i nxirrnim ndryshe frikërat nga vdekja dhe nga stresi.
Disa kujtojnë se ne e pushtuam Trojën për trojet e saj. Bah! Trojet e Trojës! Jo. Në Itakë shpirtrat tanë po shndërroheshin në kënetë, në guva të zymta mërzie, dhe lipsej të të nxirrnim prej andej korbat e kobit, duhmat e vdekjes, grahmat e saj.
Kështu, u turrëm në luftë për t' i nxjerrë këto të liga përmes vikatjeve, djersës, gjakut. Ishte epoka e heronjve, e cila u zevendësua nga epoka e Krishtit, me imazhin e tij të shpifur, të trishtuar, të mëshirshëm.

7.
E dashur Penelopë!
Jam ulur mu në shezlongun e anijes dhe përreth më vërtiten plot zallamahi reklamuese celularësh, mise të bukura që të hanë zhapën e syrit.
Unë i shoh me dyshim, sepse e di se të gjitha gjërat e mëdha kanë lindur mes vetmisë dhe heshtjes.
Por kjo s' do të thotë se nuk e dua teknologjinë.
Dhe kush pa, unë, një nga shpikësit e mëdhenj të kësaj bote: shpikësi i dredhisë.
Miset dhe celularëve zhduken nga kuverta, buthtojnë në ekranin e televizorit. «Odisea i Kalit, - më thonë, pa e ditur çfarë neverie më ngjall kjo nofkë, - blije edhe ti një celular!»
Në të vërtetë, përmes kalit unë nuk dogja Trojën, por shkatërrova një model: modelin e bukurisë së padurueshme.
Ti, mbase, e di se edhe Pikasoja ka thënë se tri janë gjërat më të bukura në botë: kali, pema, femra. I pari kali.
Shpresoja që imazhi i bukurisë së kalit të ishte shpartalluar së bashku me Trojën. Por hingëllimën e tij, atë mrekulli të zezë, e dëgjoj tashmë si zile celularësh.
Dhe gati sa s' plas e bëj bam, sepse hollë-hollë e di që i gjithë ky maraz nuk është veçse një dashuri e fshehtë për të...

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›