Të shkruash me shpresë...
- Mitrovicë: Xhon Apdajk si fitues i çmimit “Kepi i Shpresës së Mirë” -
Moikom ZEQO
Vitin e kaluar, në fund të tetorit, ndodhesha në Mitrovicë të Kosovës i ftuar në takimin ndërkombëtar të poetëve, që organizohet çdo vit. Hera e parë që e shihja me sytë e mi Mitrovicën, ndonëse dija shumë për të.
Në fillim u vendosa në motelin “Ura e gurit”, gati 12 kilometra pa mbërritur në qytetin e Mitrovicës. Arkitektura e motelit nga ana e jashtme të linte të kuptoje stilin e shtëpive mesjetare gjermane: mure të bardha, të përshkuar diagonalisht me trarë të zinj druri – ka të ngjarë që i zoti i motelit të ketë qenë refugjat në Gjermani dhe e ka pëlqyer këtë model ndërtese. Interieri, brendësia qe krejt ndryshe: e modeluar si kullat karakteristike shqiptare, me gurë të hirtë, të gdhendur dhe mobilje druri plot ornamente, si dhe objekte etnografike: djepe, qilima, susakë, kostume popullor, argjendurina, armë të vjetra e, padyshim, girlanda me qepë dhe hudhra si simbole anprotopoike. Pa harruar edhe një oxhak të madh, monumental, ku këngëzonte një zjarr gati i përjetshëm. Në oborr qe ndërtuar një urë prej guri të bardhë, më tej ca shkëmbinj në formë kaotike nga rridhte një ujëvarë. Një ekzotikë marramendëse.
Të nesërmen në mëngjes u bë ceremonia në Mitrovicë. Çmimi “Kepi i Shpresës së Mirë”, që para dy vjetësh iu dha Ismail Kadaresë e më pas poetit rebel nga Mali i Zi, Jevrem Berkoviç, për vitin 2008 iu akordua shkrimtarit të madh amerikan John Updike, krijimtarinë e të cilit e njoh mirë.
* * *
John Updike (Apdajk) u lind më 1932 dhe siç është bëre e ditur, tashmë ka ndërruar jetë. I furishëm, antikonformist, elegant, ironik, tregimet e para i botoi në revistën “New Yorker”.
Romani i tij “Panairi në shtëpinë e të varfërve” (“The Poorhouse Fair”), botuar më 1959, e bëri të famshëm. Qe një roman me tezë. Subjekti artikulohet në të ardhmen, paraqet tezën antiutopike se shoqëria amerikane, duke zhvilluar pambarimisht bazën e strukturën materiale, do ta harrojë shpirtin. Pleqtë, të moshuarit në azil, me një jetë pendanterisht të organizuar, të mërzitshme, nuk gjejnë asnjë qenie njerëzore të vërtetë për t’i ndihmuar në një kuptimshmëri të jetës, për të harruar tmerrin nga vdekja. Të rrethuar nga një situatë robinsonike, nga një mirëqenie e kujdes formal, i rremë, ata ëndërrojnë për kohëra të dikurshme, më të vrazhda e më të varfra, por më me kuptim dhe ndjesi njerëzore. Bëhet kështu një aluzion për vetë njerëzimin postteknologjik.
Romani tjetër i madh, “Vrapo, lepur” (Robbit, run”), botuar më 1960, e shpalosi tepër afreskun e kundërthënieve dhe ankthit. Të vetmen rrugëzgjidhje nga përditshmëria e zbrazët, e mekanizuar dhe e frikshme, i riu Robbit e gjen te një ikje e pareshtur, pa drejtim, pa qëllim.
Në librin tjetër, bestseller, “Çiftet” (“Couples”), botuar më 1968, në një sfond erotik të skajshëm shkrimtari realizon kritikën ironike të mënyrës amerikane të jetesës. Çiftet takohen, ndahen, lindin fëmijë, i braktisin, i ndërrojnë partnerët, divorci është normalitet, tradhtia bashkëshortore e vetëkuptueshme – gjithçka është një kaleidoskop absurd, prapa lojës dashurore pa kufi, porno e sipërfaqshme, konsumuese, personazhet fshehin frikën nga vdekja, nga asgjësimi, nga boshllëku i kësaj bote dhe universi i pakuptimtë.
Por romani i Apdajkut që më ka bërë më shumë përshtypje, është “Kentauri”, ku si në një film të shkurtër, kalon tërë fazat e njerëzimit, deri te njeriu modern, një lloj hibridi ose mutanti, siç janë kentaurët në mitologji. Megjithatë, Apdajku beson te njeriu; letërsia është për të një fuqi e fshehtë, e pandreqshme, e infinitshme për të rikonstruktuar një të ardhme më të mirë, më njerëzore.
* * *
Në ceremoninë e rastit u lexua dhe letra e shkrimtarit, që mund të konsiderohet si kumt i mrekullueshëm e reflektim tronditës. Ky tekst i sinqertë është një vetërrëfim i qartë, një moto. Njohja nga Apdajku e shtetit më të ri, Republikës së Kosovës, është dinjitoze dhe frymëzuese. Nuk është një deklaratë, është një apoteozë. Teksti i Apdajkut të vë në lëvizje mendjen, sidomos thellësia zhbiruese e idesë së tij për letërsinë e madhe, mbijetuese, për jetësimin e motiveve, për ushqimin magjik e trimëror të shpresës. Ja dhe teksti:
“U ndjeva tejet i nderuar, kur më njoftuan se isha fitues i çmimit letrar “Kepi i Shpresës së Mirë” për këtë vit, duke u vendosur në shoqërinë e zgjedhur të fituesve të mëparshëm, Jevrem Berkoviç dhe Ismail Kadare.
Ne të tre, shpresoj, të jemi veçse nismëtarët e një vargani të gjatë fituesish, që kremtojnë vendin e Republikës së Kosovës në botën e shkrimit ndërkombëtar. Ndiej keqardhje të thellë që nuk kam mundësinë të jem i pranishëm në Mitrovicë, për të pranuar shpërblimin në manifestimin tuaj ndërkombëtar të poezisë.
Është domethënëse për mua të kem çmimin prej shtetit më të ri në botë, nga një shtet ekzistencën zyrtare të të cilit vetë vendi im ishte nga të parët që e njohu, madje në formimin dhe mbrojtjen e të cilit vendi im luajti rol të rëndësishëm nën udhëheqjen e Kryetarit Klinton.
Mjaft herët, në karrierën time të shkrimit, kisha vendosur se jeta e amerikanëve të rëndomtë do të ishte tema ime, e përshkruar me ndopak vëmendje ndaj dimensioneve mitike e metafizike që ekzistojnë në çdo jetë, dhe e gjallëruar me poezi të tillë, që mund të ushqehet nga thelbi i së përditshmes bashkëkohore. Shumica e prozës sime artistike është aq veçanërisht amerikane dhe aq thjeshtësisht borgjeze, saqë më befason këndshëm çdo përkujdesje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe përkthimet e shumta që i kam pranuar.
Ndonëse e kam vendosur ngjarjen e një romani në Brazil dhe një tjetër në një vend mitik afrikan, të quajtur Kush, dhe ndonëse i kam vendosur ngjarjet e disa tregimeve të shkurtra në shtetet e Europës Lindore, siç janë Bullgaria, Rumania e Çekosllovakia, skenat e ngjarjes, sprovat, problemet shoqërore dhe çështjet morale që shprehen, kanë pothuajse gjithmonë ngjyresën e theksit amerikan, për sa më përket mua.
Jetët, që mund t’i mbërthej dhe t’i dramatizoj, kanë vendndodhjen në Shtetet e Bashkuara, që dikur ishin një grumbull i izoluar i kolonive europiane dhe që, përgjatë gjysmëshekullit kur kam shkruar, mund të pohojnë të jenë shteti më i fuqishëm në botë, dhe si shtet i tillë një aktor prijës në historinë politike dhe kulturore të kësaj epoke.
Megjithatë, personazhet që gjenden në shkrimet e mia rëndom jetojnë nën radarin e ngjarjeve të lajmeve mediale, dhe janë të kapluar me çështje johistorike – me ndijime personale, me marrëdhënie private, me ngjarje familjare, me aklimin e kohës dhe me afrimin e vdekjes.
Për fat të mirë, gjuha e jetës së zakonshme përkthehet lehtësisht nga dialekti i saj lokal dhe kuptohet ndërkombëtarisht.
Ndonëse mizoria njerëzore dhe krimet e pamëshirshme shpesh na vështrojnë ngultas nga gazetat e përditshme, aftësia e jashtëzakonshme njerëzore për solidarizim dashamirës, që kapërcen kufijtë gjuhësorë e zakonor, shfaqet dhe përhapet përmes shpikjeve të prozës artistike.
Në shkrimet amerikane pakënaqësitë me paqe dhe mirëqenie, pasiguritë që shoqërojnë jetesën në një kulturë që mburret me lirinë, me shumëllojshmërinë e mundësive dhe me dinamizmin e vet, u zbulohen lexuesve që gëzojnë më pak pasuri materiale dhe më pak fat gjeografik.
Një shëmti mahnitëse, por e rrezikshme, është në kontrast me shoqëritë më të lashta, prejardhjet fisnore të të cilave kanë humbur në histori, por që informojnë për identitetin e përbashkët.
Proza dhe poezia artistike amerikane morën nga fillimet tona puritane një dëshirë për të ballafaquar jetën njerëzore që nga zanafilla, në çuditërinë e saj thelbësore, si një çështje shpirtërore dhe shoqërore. Ne filluam, siç është thënia, “nga zeroja” dhe një ashpërsi gërvishtëse, një orvatje nga ndershmëria absolute, që mund të duket e vrazhdë dhe e pagdhendur, mund të ndihet në kryeveprat e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Moubi - Dik (Moby - Dick) dhe Hakëlberi Fin (Huckleberry Finn) dhe në poezitë e Uolt Uitmën-it (Walt Whitman) dhe të Emili Dikinson-it (Emily Dickinson), si dhe në modernitetin instinktiv e mjaft të shkujdesur të Folkner-it (Faulkner), Hemimguejit (Hemingway) e Sol Belou-t (Saul Bellow).
Kam dëshirë të them se një amerikan shkruan me shpresë jo vetëm të ushqejë sistemin letrar, por ta përmirësojë atë, ose së paku ta përtërijë. Një raport i freskët i artit me realitetin është përherë në mendjen tonë; një ethe e matur revolucioni kundër paraardhësve tanë të denjë, dhe kundër përkufizimeve normative të së vërtetës, na mban të kyçur, të ngazëllyer dhe shpresëmirë në art.
Çmimi letrar “Kepi i Shpresës së mirë” pikërisht me emrin e vet frymëzon një shpresë të mirë, me rastin e këtij manifestimi të lumtur, ku një shtet i ri i jep një çmim një qytetari të një shteti të vjetër, që në vetvete ndihet ende i ri.
Ju keni mirënjohjen time dhe, përmatanë oqenait, përshëndetjet e mia.”
* * *
Në Mitrovicë pashë muzeun, vendosur mbi një ngrehinë hamami të shekullit XVIII. Qe i pasistemuar, reliktet arkeologjike qenë të çuditshme, të jashtëzakonshme. Sidomos idhujt prehistorikë të neolitit, gati si një art skulpturor surrealist. Kishte dhe dëshmi të kulturës tipologjike ilire të shekujve VI-III p.e.s.
Kultura mesjetare përfaqësohej nga disa skulptura zoomorfe, që duhet të kishin zbukuruar një katedrale të krishterë të shekullit XII. Mendoj se duhet të ketë qenë e Shën Dhimitrit, shenjtorit kalorës që shqiptarët i thonë Shën Mitër, nga buron edhe emri i qytetit Mitrovica. Te ky muze është edhe një statuetë e vogël bronzi e Muzës Teksifora, tepër e rrallë, e periudhës romake, simbol i kultivimit të poezisë e muzikës. Shekuj më vonë, në këtë qytet të minatorëve shqiptarë të Trepçes u lind poeti i shkëlqyer shqiptar Fahredin Gunga, poezia e të cilit për Kepin e Shpresës së Mirë është emblema ideore e Çmimit Ndërkombëtar të Poezisë.
Është një gjë e bukur dhe e mençur, që ky çmim u lidh edhe me emrin e madh të Xhon Apdajkut. E them me bindje se emri i Apdajkut i jep nder këtij çmimi.
22 Qershor 2009