Listat e deputetëve, ethe dhe "luftë" për influencë brenda PD-së
Dy muaj para se fushata elektorale të fillojë, në Partinë Demokratike nisin të lëvizin ujërat. Duket se listat e kandidatëve për deputetë do të tregojnë edhe rrjedhën që do të marrë karriera politike e figurave "tradicionale" të demokratëve dhe atyre të ardhura rishtazi. Krahu politik i përfaqësuar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli po tenton të fuqizohet në atë çka mund të cilësohet luftë influencash brenda selisë blu. Burimet sqarojnë se Topalli ka zhvilluar takime ditët e fundit, në zyrën e saj me deputetë të ndryshëm demokratë. Tematika kryesore e këtyre diskutimeve ka qenë zgjedhja e krerëve të Partisë Demokratike në rrethet e ndryshme të vendit. Deputetë si Ilir Rusmali, Arenca Trashani, Fatos Hoxha, Aldo Bumçi, por edhe të tjerë janë parë shpesh në zyrën e Kryetares së Kuvendit. Burime të besueshme brenda kampit blu japin detaje të cilat zbardhin situatën e krijuar në PD. Beteja e parë për influencë është në zgjedhjet e kryetarëve të degëve në rrethe. Rëndësia e këtyre mandateve është e madhe, për shkak se janë ata që të shpërndarë në 12 qarqe do të sjellin edhe propozimet për emrat e kandidatëve për deputetë. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha mban kontakte konstante nëpërmjet telefonit dhe takime në zyrë, me kryetarin e grupit parlamentar, Astrit Patozi. Ky i fundit është parë shpesh të shkojë në zyrën e shefit të qeverisë për të marrë porositë e nevojshme. Mësohet se Partia Demokratike është duke menduar përfshirjen në listat e deputetëve të kryetarëve të degëve, por ende nuk ka një prononcim zyrtar lidhur me këtë. I konsideruar deri dje i fuqishëm brenda radhëve të demokratëve, kreu aktual i shtetit, Bamir Topi, po ndjek gjithçka nga larg. Diçka e tillë justifikohet me maturinë dhe qetësinë që i imponon posti aktual i kreut të shtetit. Si një prej figurave më të lakuara për të marrë drejtimin e partisë në rast të humbjes së demokratëve dhe përfundimit të mandatit të tij, Topit nuk i ka ngelur gjë tjetër veçse të testojë terrenin dhe të lërë ngjarjet në rrjedhën e tyre. Duke pritur mbase momentin e duhur për të realizuar ndërhyrjen e tij. Një tjetër pikë e pazgjidhur brenda demokratëve është rivaliteti i vjetër mes Arben Imamit dhe Ridvan Bodes për postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike. Në korridoret politike të demokratëve përflitet mjaft edhe për ambicien e Genc Pollos për t‘u ulur në karrigen e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Këto ekuilibra të brishtë kanë shtyrë për pas zgjedhjeve parlamentare, votimin për lidershipin. Një tjetër moment kritik në zhvillimet brenda selisë blu ka të bëjë me zgjedhjet në degën e Partisë Demokratike të kryeqytetit. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, kohët e fundit tejet kritik ndaj qeverisë, ka kërkuar publikisht zgjedhje të lira në degën e Tiranës teksa konfirmon se procesi është i bllokuar. Sakaq, deputeti i Tropojës, Aleksandër Biberaj, deklaroi pak ditë më parë se "sekti Topalli" po sjell konflikt brenda PD-së. Si kundërpërgjigje, kjo deklaratë mori heshtjen e mbështetësve të nënkryetares së PD-së. Përgjigjja e tyre ishte e thjeshtë: "Nuk kemi kohë për të humbur me Biberajn".
Tirana
Zgjedhjet mbeten të bllokuara
Kandidatët demokratë për postin e kreut të selisë blu të kryeqytetit duket se kanë hipur në vagonin e gabuar.
Pezullimi i zgjedhjes së delegatëve dhe mospërcaktimi i një date për mbajtjen e konferencës së Tiranës të Partisë Demokratike, ka sjellë alarmin se zgjedhja e kreut të ri të PD-së në kryeqytet do të bëhet pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime brenda selisë blu thonë se zgjedhjet në nëndegë do të vazhdojnë, kurse puna për mbajtjen e konferencës është bllokuar dhe bashkë me të edhe zgjedhja e delegatëve. Pezullimi i zgjedhjeve në PD-në e Tiranës i lë hapësira kreut të demokratëve në kryeqytet, Sokol Olldashi, të mbajë këtë funksion edhe gjatë zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Sipas kandidatëve, konferenca e PD-së për Tiranën ishte parashikuar të zhvillohej në fillim të shkurtit, por sekretari organizativ i PD-së ka bërë me dije se ende nuk ka një datë konkrete për mbajtjen e saj. Kandidatët shprehen se nuk kanë asnjë informacion deri tani nga drejtuesit e selisë blu për mbajtjen e konferencës së Tiranës.