E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e deputetëve, hapet tenderi për kandidaturat



Eljona Ballhysa
Që politika është biznes, këtë e vërteton më së miri fushata zgjedhore që ndodhet në prag. Në korridoret e politikës çdo ditë e më tepër po flitet për hapjen e “merkatos” së deputetëve. Shifra marramendëse që fillojnë me miliona lekë e përfundojnë me mijëra euro përfliten se duhen palosur mirë nëse vendos të kandidosh për deputet. Për një vend në listë është e domosdoshme të paguash. Kjo cilësohet ndihmë financiare për partinë, për zhvillimin e fushatës zgjedhore, por është një investim i sigurt për një mandat të sigurt deputeti. Mandej formula dihet, sa më shumë të paguash, aq më lart në listë do të jetë emri.
Shifrat
Burime konfidenciale kanë bërë të ditur se partitë kanë vendosur pak a shumë shifra standarde për një vend në listë. Por më të rëndësishme janë vendet e para në zonat elektorale që cilësohen si bastione të partive. Këto poste kushtojnë shumë. Çmimi varion nga 120 mijë euro për një vend çfarëdo, deri në mbi 220 mijë euro për vendet e para, për të siguruar karrigen e deputetit në legjislaturën e ardhshme. Por, sipas burimeve, prioritet të veçantë do të kenë biznesmenët që afrohen për të kandiduar. Përveç parave të thata, atyre u bie barra edhe për ndihma teknike apo lidhje të tjera gjatë organizimit të fushatës zgjedhore. Sipas burimeve, para u kërkohen kandidatëve të rinj që kërkojnë të nisin karrierë në politikë, ose deputetëve që rrezikojnë të mos rikandidojnë sërish për shkak të profilit të dobët politik.
Partitë
Burimet bëjnë të ditur se për tenderat e deputetëve janë më të hapura partitë e vogla, ndërsa në partitë e mëdha shteg i lirë u është lënë personave me influencë. Dy kryetarët e mëdhenj mësohet se nuk janë të përfshirë në të tilla pazare. Në PD dhe PS me “tregun” e kandidatëve për deputetët merren figurat dytësore ose të tretat, por që kanë besimin e lidershipit të partisë dhe fjala e tyre arrin të dëgjohet për një emër në listën e ardhshme të kandidatëve për deputetë. Ndërsa partitë e vogla dihet se janë më të monopolizuara dhe në dorë çelësin e financave e kanë vetë kryetarët, të cilët, të gjendur disi në krizë ekonomike, përballë partive të mëdha, për të qenë në lartësinë e të mëdhenjve në organizimin e një fushate zgjedhore, vendosin çmime për deputetët, në mënyrë që të rrisin financat e partisë. Burimet bëjnë të ditur se me afrimin e fushatës zgjedhore do të rritet dhe çmimi për një vend në listën e kandidatëve për deputetë.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›