E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: “Berisha po krijon konflikt me ndërkombëtarët si në vitin 1996”



Partia Socialiste shprehet e shqetësuar në lidhje me qëndrimin “armiqësor”, që sipas saj, qeveria “Berisha” po mban ndaj Bankës Botërore. Deputeti socialist, Arben Malaj, tha se qëndrimi konfliktual i qeverisë me institucionet ndërkombëtare është i njëjtë me qëndrimin që mbajti kryeministri Berisha me këto institucione në vitin 1996. “Deklarata e djeshme e qeverisë ‘Berisha’ se ajo është e zonja t’i tregojë derën Bankës Botërore për këtë projekt, siç ka bërë në vitin 1996 dhe siç bëri pak kohë më parë edhe me propozimin e ofruar nga FMN-ja për ta asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje, është dëshmi e dështimit dhe arrogancës së kësaj qeverie”, - tha Malaj. Sipas deputetit socialist, qeveria aktuale ka bllokuar zbatimin e disa projekteve të rëndësishme, të nisura në kohën e qeverisjes socialiste, investime të partnerëve ndërkombëtarë. “Qeveria bllokoi për rreth tre vjet investimin rreth 70 milionë euro në rrugën ‘Fier-Tepelenë’, projekt i financuar nga Banka Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Banka Europiane për Investime. Qeveria bllokoi për dy vjet projektin e TEC-it të Vlorës, projekt që do të lehtësonte krizën energjetike, me kapacitet prodhues 85-135 MW, i mbështetur nga Banka Botërore, BERZH-i dhe BEI. Qeveria gjatë këtyre viteve dështoi në koordinimin dhe thithjen e financimeve nga donatorët e huaj. Investimet e huaja nga donatorët gjatë viteve 2005-2008 u pakësuan ndjeshëm, duke u kompensuar me kredie me kushte të rënda tregtare, çka rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë dhe cilësinë e jetës së tyre”, - tha Malaj.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›