Berisha vazhdon turin e përurimeve në prag të fushatës zgjedhore
Kryeministri Berisha, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, përuroi dje fillimin e punimeve për zgjerimin me katër korsi të rrugës “Plepa-Rrogozhinë”. Në prag të fushatës zgjedhore kreu i qeverisë ka nisur një seri përurimesh për fillimin e punimeve në infrastrukturë dhe pritet që shiritat e përfundimit të këtyre segmenteve rrugore të priten vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë fjalës së tij kryeministri garantoi se rrugët e gjata e të mundimshme, do të zëvendësohen me rrugët më të shkurtra, më të reja dhe më moderne. “Në mandatin e dytë të kësaj qeverie jemi të vendosur të asfaltojmë, të sistemojmë mijëra e mijëra km rrugë rurale. Zhvillimi i qëndrueshëm rural, ndërtimi i rrugëve, ujësjellësve kanalizimeve, shkollave moderne mbeten përparësia jonë më madhore, kushti vendimtar që ju dhe fëmijët tuaj të jetoni në një vend të zhvilluar”, - nënvizoi kryeministri Berisha. Gjithashtu kryeministri garantoi se gjatë mandatit të dytë, qeveria do të përqendrohet në një reformë të thellë shëndetësore, për të vendosur në vend sistemin shëndetësor më efikas, më human dhe më kompetent në rajon. Një prioritet madhor tjetër i kësaj qeveria gjatë mandatit të dytë do të jetë përqendrimi në rritjen e rrogave dhe pensioneve. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha garantoi qytetarët se për sa kohë të votojnë këtë qeveri, nuk do të ketë qëllim më të madh se sa rritja e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve.
2 Mars 2009