E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata “Çamëria” kërkon ngritjen e një varreze në Greqi



Shoqata “Çamëria” i ka dërguar një letër kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkon të ndërhyjë për varrezat e çamëve në Greqi. Gjatë ditës së djeshme, shoqata kombëtare “Çamëria” organizoi një simpozium në të cilin u ritheksua nevoja që qeveria shqiptare të mbrojë të drejtat e popullsisë çame në Greqi. “Qeveria jonë duhet të shkëputet nga qëndrimet servile ndaj Greqisë. Pjesë e marrëveshjes për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri duhet të jetë edhe ndërtimi i një varreze në zonat çame në Greqi, për të rënët çamë gjatë gjenocidit grek në vitet e Luftës së Dytë Botërore”, - është shprehur gjatë fjalës së tij presidenti i shoqatës “Çamëria”. Ai bëri të ditur se edhe pse prej kohësh i ka dërguar një letër kreut të Ekzekutivit, ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive. Dëshmorët, sipas çamëve, nuk duhen trajtuar me dy standarde dhe qeveria jonë duhet të shkëputet nga qëndrimet servile ndaj Greqisë. Ndërsa kryetari i Bordit të Institutit të Studimeve për Çamërinë, Gazmend Haxhia, tha se referencat nga Instituti i Historisë kanë qenë shumë interesante përsa i përket numrit të popullsisë çame dhe pronave të shumëpërfolura që kjo popullsi shqiptare ka në Greqi. Haxhia theksoi se “rëndësia e këtij simpoziumi është të mbajmë gjallë çështjen çame dhe mënyrat se si duhet të veprojmë për një zgjidhje përfundimtare të kësaj çështjeje kaq delikate”.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›