Komisioni i Ligjeve rinis të hënën diskutimin për ngritjen e Gjykatës Administrative
Komisioni Parlamentar i Ligjeve rinis të hënën shqyrtimin e projektligjit “Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative”, i cili është një nga draftet më të rëndësishëm të reformës në Drejtësi. Miratimi i këtij projektligji është shtyrë disa herë me kërkesë të anëtarëve socialistë të Komisionit të Ligjeve, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë për ta shqyrtuar atë me ekspertët e PS-së. Ky projekt konsiderohet me një rëndësi të veçantë për marrëdhëniet mes Gjyqësorit dhe shoqërisë, pasi synon vendosjen e limiteve të qarta ligjore kundër abuzivizmit. Krijimi i rrjetit të gjykatave administrative parashikon mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve. Drafti parashikon që sistemi gjyqësor administrativ do të përbëhet nga gjykatat në dy shkallë: Gjykata e Shkallës së Parë Administrative, që do ta ketë qendrën e saj në Tiranë; dhe Gjykata e Apelit Administrativ. Gjykata, do të jetë pala e tretë, mbi individin dhe mbi shtetin, që në kushte barazie, transparence dhe profesionalizmi do të vendosë të drejtën.
2 Mars 2009