E Diel, 1 Nëntor 2026

Zona elektorale e Berishës proteston për investimet defektoze elektorale



Banorët e qytetit të Kavajës, që është zona elektorale e kryeministrit Sali Berisha, janë hedhur dje në protestë për shkak të ndërtimit të një rruge për të cilën nuk është parashikuar ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve. Banorët që para katër vitesh kanë hedhur votën pro Berishës, dje janë shprehur kundër nismës së tij për të ndërtuar një rrugë, të cilën ata e cilësojnë defektoze dhe që ndërtohet për efekte elektorale në fund të mandatit katërvjeçar të deputetit të tyre. Sipas banorëve, ky është vetëm një investim elektoral dhe nuk i shërben komunitetit.
Projekti për rikonstruksionin e një rruge nga Bashkia e Kavajës ka irrituar banorët që preken nga ky projekt. Banorët e rreth 200 familjeve kanë bllokuar punimet e firmës që ka marrë përsipër rikonstruksionin e rrugës së varrezave, pasi sipas tyre, në projekt mungojnë kanalizimet dhe shtyllat e telekomit janë në mes të rrugës. “Kjo rrugë është sa për të marrë votat, pasi nuk është në parametrat që duhet”, - thotë një banor i qytetit, i cili në 2005-n rizgjodhi Sali Berishën si deputet në Parlament. “Jemi 200 familje. ǒështë kjo rrugë që hapet pa bërë në fillim kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza? Nuk na pyeti njeri për këtë rrugë dhe ndërtimet e saj po bëhen në formë skandaloze, më mirë të rri siç ishte”, - thotë i indinjuar një tjetër banor. Banorët shprehen gjithashtu se kanë shkuar disa herë në Bashkinë e qytetit për të kërkuar shpjegime në lidhje me projektin, por asnjëherë nuk kanë marrë një përgjigje. Ndërkohë ata shtojnë se do të vazhdojnë të bllokojnë punimet e firmës derisa përfaqësuesit e Bashkisë të detyrojnë firmën të rikonstruktojë rrugën sipas të gjitha parametrave.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›