E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat, falet Xhuveli, rrëzohet PS

Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e PS-së. Socialistët akuzonin KQZ-në se kishte falsifikuar listat


Ka marrë fund dilema e kandidimit të agrarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kolegji Zgjedhor ka vendosur dje që të rrëzojë kërkesën e Partisë Socialiste dhe të lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e listave shumemërore të Partisë Agrare Ambientaliste.


Por, përpara se të merrte një vendim të tillë, trupa gjykuese për çështjet zgjedhore, në një seancë që ka zgjatur më shumë se 2 orë, ka dëgjuar të gjitha pretendimet e palëve në konflikt, socialistëve, KQZ-së, PAA-së dhe PD-së. Avokati i socialistëve, Eno Bushi, ka lexuar edhe një herë para kolegjit kërkesën dhe argumentet ligjorë që kanë detyruar socialistët për të bërë një aktpadi të tillë.


Ai ka theksuar se çështja, të cilën ata ankimojnë, ka të bëjë me dy shkelje të rënda nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Së pari, sipas tij, KQZ-ja ka miratuar listat shumemërore të PAA-së në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, duke mos respektuar detyrimin e tij për të patur në listat zgjedhore 30 % kandidate femra. Më konkretisht, socialistët pretendojnë se në vendimin e KQZ-së të datës 28 maj, nuk është respektuar ky detyrim në listën e Qarkut Fier dhe atë të Qarkut Shkodër.


Por, shkelja e KQZ-së për selinë rozë nuk qëndron vetëm në këtë fakt, pasi ajo ka sjellë në vëmendje të gjykatës edhe një problematikë tjetër, që është vënë re më pas me listat e këtyre dy qarqeve.


Avokati Eno Bushi, ashtu siç edhe kishte paraqitur në kërkesën e vet, deklaroi në seancën gjyqësore se KQZ-ja ka kryer një falsifikim të dokumentacionit lidhur pikërisht me këto dy lista, duke i ndryshuar ato, pasi ishte marrë më parë vendimi përfundimtar i KQZ-së. Ai është shprehur se administrata e KQZ-së, jashtë çdo kompetence, ka hequr nga listat e PAA-së në Qarkun Fier dhe Shkodër nga një kandidatë mashkull, duke bërë që edhe në këto dy qarqe kjo forcë të plotësonte 30 për qindëshin.


"Dua të di nga KQZ-ja se cili është akti ku është pasqyruar një vendimmarrje e tillë, pasi në bazë të vendimmarrjes së këtij komisioni dhe procesverbalit të mbajtur në atë mbledhje, rezulton se janë miratuar lista me përmbajtje të ndryshme nga ajo që ne na serviren sot", - tha Bushi. Por, nuk ka qenë e këtij mendimi drejtoresha juridike e KQZ-së, Deshira Pasko, e cila duke mbrojtur interesat e institucionit që ajo përfaqëson, ka paraqitur një dokumentacion të ndryshëm nga ai që dispononte përfaqësuesi socialist.


Sipas saj, KQZ-ja ka miratuar listat e PAA-së, pasi kjo e fundit paraqiti për disa herë ndryshime në to. Megjithatë, ajo nuk ka mundur të paraqesë para gjykatës vendimin me të cilin KQZ-ja ka miratuar listat e PAA-së me ndryshimet e fundit, të cilat, sipas socialistëve, janë bërë pas mbledhjes dhe jo gjatë saj. "Kërkoj rrëzimin e kërkesës së palës paditëse, pasi vendimmarrja e KQZ-së ka qenë konform të gjitha detyrimeve ligjore", - tha Pasko.


Pasi dëgjoi edhe pretendimet e përfaqësuesit të PAA-së, gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e socialistëve si të pa mbështetur në ligj dhe të paargumentuar me fakte. Një vendimmarrje e tillë duket se ka qenë e detyruar për trupën gjykuese, e cila është vënë në vështirësi nga përfaqësuesit e KQZ-së, të cilët kanë deklaruar para saj se një vendim për rrëzimin e listave të PAA-së do të fuste të gjithë procesin zgjedhor në kolaps, për shkak të ndryshimit që duhej t'i bëhej më pas edhe fletës së votimit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›