E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, si u vodhën milionat e dëmshpërblimit

Skandali me paratë që duhet të marrin banorët që pësuan dëme nga shpërthimi, ndarja në bazë të bindjeve politike


Dyshime serioze për korrupsion pas tragjedisë së Gërdecit. Gëzim Gjoni, një i mbijetuar i shpërthimit dhe kryetar i shoqatës së viktimave, tregon shembuj ngjethës. "Janë paguar sipas përkatësisë partiake apo dhe sipas miqësisë. Janë zhdukur miliona", thotë ai. Një udhëtim në Gërdec para fushatës elektorale, republikanët e Mediut, posterët më të mëdhenj në zonë

"Kanë ardhur të gjitha partitë, të gjitha kanë hapur zyrat e tyre elektorale në Vorë, por më shumë flamuj, më shumë posterë dhe më të mëdhenj se të gjithë të tjerët, janë në zyrën e Partisë Republikane të Fatmir Mediut". Gëzim Gjoni, kryetar i shoqatës së viktimave të Gërdecit, nuk ka zemëratë.


Madje fsheh mirë edhe protestën e tij. Në të kundërt, në mënyrë të pabesueshme, thotë se ka punuar shumë që të fashitë zemëratën e banorëve të Gërdecit, të cilët, tek Mediu, shohin një nga shkaktarët e tragjedisë së tyre të një viti më parë. Njëlloj si Prokuroria e Përgjithshme që e konsideron atë si shpërdorues të detyrës në bashkëpunim, me pasojë shpërthimin në Gërdec:


"Kishte nga ata që erdhën dhe biseduan me mua dhe me të tjerë për të thyer xhamat e zyrës së tij dhe për të larguar posterët e Partisë Republikane. I kam ndalur me vështirësi dhe besoj se i binda, kështu do të bëj dhe nesër",- thotë ai. Por ky është vetëm një detaj nga shumë të tillët që Gjoni e tre të mbijetuar të tjerë nga tragjedia, rreshtojnë në një bashkëbisedim të gjatë me MAPO-n.


"E kam thënë ku kam mundur. Ia kam thënë gazetarëve të huaj, e kam thënë dhe në emisionet televizive ku më kanë ftuar: Në Gërdec ka pasur dy tragjedi. E para ajo që e panë të gjithë, që ndodhi në 15 mars 2008, dhe e dyta që nisi që mbas asaj date, me përpjekjet e qeverisë gjoja për të na dëmshpërblyer",- thotë Gjoni.


Ai ka një dosje të madhe me dokumente, që sipas tij vërtetojnë hipokrizinë qeveritare dhe mbi të gjitha, trajtimin e diferencuar që iu është bërë viktimave të tragjedisë. Qoftë me anë të korrupsionit, qoftë për shkak të përkatësisë politike të tyre.


"Sherif Ismaili nga Gërdeci besohet se është i majtë. Vëllezërit e tij janë me Partinë Demokratike. I kanë shtëpitë në të njëjtin vend, janë dëmtuar njëlloj nga shpërthimi, por Sherifi është paguar shumë herë më pak se vëllezërit e tij". Tre banorët e tjerë nga Gërdeci që e shoqërojnë, pohojnë të njëjtën gjë. Ismaili i është dërguar me letra të gjitha adresave që ka menduar se mund ta ndihmojnë; që nga Këshilli i Ministrave e deri tek Enti i Banesave.


"Do të shqyrtojmë ankesën tuaj", ka qenë rreshti i vetëm i përgjigjes që ka marrë në përgjigjen e vetme që i është kthyer zyrtarisht. Por deri më tani, asgjë. Ismali paguan për bindjet e tij politike. Dhe pasojnë njëri pas tjetrit shembuj të pafundëm. Njëri më i trishtuar se tjetri.


Të gjithë vërtetojnë shqetësimin e tyre: me ne, mbasi na vranë, po tallen ditën me diell. Të katërt janë plagosur në ditën e shpërthimit. Vetë Gjoni ka marrë plagë në kokë dhe gjymtyrë, kurse tre të tjerët e kanë pasur punën edhe më pisk. Kanë qenë punëtorë në fabrikën e vdekjes deri në ditën që ajo u hodh në erë. "Pasi pamë vdekjen me sy, pasi na u vranë të afërm, shokë e miq, qarr e kemi çfarë jetojmë tani", thonë ata.


"Janë të paktën pesë vetë, që sipas vendimit të qeverisë duhet të trajtoheshin financiarisht sepse u plagosën rëndë. Ata janë Bexhet dhe Zeqine Fejzolli, Tritan Memoçi, Denis Gërdeci e Xhafer Brati. Nuk kanë marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim. Por të paktën dy të tjerë, Brunilda Breti dhe Adriatik Koci, të njohur të kryetarit të bashkisë Vorë apo punonjës aty, janë paguar edhe pse nuk janë plagosur fare në ditën e shpërthimit.


Një tjetër banor, Sh. Sula, ka pasur aksident me motor diku nga shkurti i vjetshëm dhe ka dëmtuar këmbët. E futën në listën e dëmshpërblimeve dhe ka marrë nga shteti 1 milion lekë", thonë ata. Lista vazhdon gjatë dhe të katërt janë të revoltuar. "Kemi kërkuar që listës së të plagosurve t´i bashkëngjitet epikriza e gjithsecilit. Nuk e kanë bërë deri më tani sepse e dinë që kështu iu del në shesh mashtrimi", thotë Gjoni.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------


Abuzimi me vlerësimin e dëmeve

Halli të bën të dyshosh për gjithkënd dhe për gjithçka. Banorët e Gërdecit përmendin të paktën dy raste me zemëratë. Dy donacione të ardhura për banorët e Gërdecit, por që nuk kanë gjurmë se ku kanë përfunduar. Afrojnë një listë me gjithë emrat e donatorëve, në të cilën mungojnë të paktën dy emra: Ethem Ramadani, biznesmeni kosovar që dhuroi 100 mijë euro dhe një firmë shqiptare që dha 30 mijë euro. "Nuk dimë ku kanë përfunduar këto para. Nuk akuzojmë kënd, por mungon totalisht transparenca. Këtu mund të ndodhë çdo gjë",- thotë Gjoni.


Të katër gërdecarët ndërpresin njëri-tjetrin duke përplasur shembujt me njëri-tjetrin, shembuj të cilët vërtetojnë atë çfarë u dhemb gjithashtu shumë. Vjedhjen masive që është bërë post-tragjedisë. Përmendin dhe emra. Shembuj të habitshëm që të bëjnë t´u japësh të drejtë.


"Për mendimin tonë, janë disa sekserë që kanë luajtur me çmimet e dëmshpërblimit, që kanë bërë pagesa selektive sipas përkatësisë partiake apo sipas tarafit të tyre.. Demonstrojnë faqet e shtypit të kohës që verifikojnë pagesat e kryera. "Dikujt i është dëmtuar lokali i tij. Në fillim ja vlerësuan dëmin 1.3 milionë lekë.


Pastaj kur u bë rivlerësimi, shuma vajti 10 994 940 lekë të reja. Gati nëntë herë më shumë. Mendoni, në një lokal fshati me dy tavolina e tetë karrige, orenditë e dëmtuara mendohet se kanë kushtuar 3.9 milionë lekë. Në një rast tjetër në fillim lokalin ia vlerësuan se kishte pësuar dëme për 6 milionë lekë, me rivlerësim dëmi i vajti 13 923 778 lekë", tregojnë ata duke shenjuar faqet e gazetave ku janë botuar shifrat zyrtare të akorduara nga qeveria.


Abuzimet e zbuluara nga KLSH-ja

"Kanë dhënë me grushte diku ku kanë dashur. Kërkojnë të marrin qindarkat dhe të kthehen mbrapsht dëmshpërblimet aty ku duan",- thotë Gjoni. Ai afron faksimile të një procesi të nisur nga bashkia Vorë që i kërkon Drita Bratit të kthejë shumën prej 80 mijë lekësh sepse pretendohet se është përfituar pa të drejtë.


"Nipi i saj, Xhafer Brati, që nga shpërthimi ka humbur vështrimin, as nuk rezulton në listën e të plagosurve. Drejtësi është kjo?",- shpërthejnë të katër banorët e Gërdecit. Si Drita janë dhe 44 banorë të tjerë të Gërdecit.


Eshtë e vështirë të gjendet se ku fillon dhe ku mbaron e vërteta. Ngjan se janë shumë të zemëruar me kryetarin e tyre të bashkisë. "Thonë se tani po bën dhe master dhe se do të bëhet dhe Doktor Shkencash. Deri para viteve 90´, kishte mbaruar vetëm shkollën e mesme natën, profili elektrik dhe ka punuar si elektricist në fabrikën e vjetër të tullave në Vorë. Tani bën ligjin këtu",- thonë ata.


Por në bashki, duket se kanë dhe burimet e tyre. Menjëherë sapo citojnë raportin e kontrollit të shtetit për vitin 2008 që vlerëson se gabimet e bashkisë Vorë kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 23 milionë lekësh, afrojnë dhe faksimilen e një dokumenti për shpenzime të tjera të dyshimta të bashkisë, të "freskët" fare, të datës 25 maj 2009: riparim mjetesh dhe blerje gomash.


Me vlera që ngjajnë me njëra-tjetrën, nga katër milionë lekë të vjetra. "Thonë se do të paguajnë 4 milionë lekë për riparimin e një fadrome. Por këtu duhet hyrë me buldozer për të zbuluar sesi shpërdorohen paratë e shtetit",- thonë ata.


Misteri 130 mijë euro


Janë të paktën 130 mijë euro të cilat nuk figurojnë në shifrat zyrtare të donacioneve për Gërdecin. 100 mijë të dhëna nga Ethem Ramadani, biznesmeni filantrop nga Kosova dhe 30 mijë euro të tjera nga një firmë shqiptare.


Ato nuk janë shënuar në listën modeste të lëshuar nga bashkia e Vorës, firmosur nga specialistja e sektorit të financës, Mirela Domi, dhe përgjegjësi i këtij sektori, Selami Bocerri. Në këtë listë ndodhet emri i boksierit Kreshnik Qato apo këngëtarëve shqiptarë nga Maqedonia por jo dy shumat e përmendura. Banorët dyshojnë se ato janë "zhdukur".


Nuk e venë gishtin diku, por kërkojnë transparencë. "I mbani mend kronikat televizive të shpërndarjes së parave të dëmshpërblimit? Miliona lekë në thasë plastikë që qëndronin në tavolinën e kryetarit të bashkisë. Vetëm pak kohë më parë, Këshilli i Ministrave kishte nxjerrë urdhër për pagesat në CASH. Po kush pyet për të. Na i dhanë në dorë dhe ikëm dhe ne me lekë në torbë", thonë banorët e Gërdecit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›