E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rritje të prodhimit!

Patos - Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të zhvilluar pasditen e djeshme në qytetin e Patosit, u shpreh se shkonte para qytetarëve me një projekt të ri, për një Shqipëri Evropiane, duke premtuar liberalizimin e vizave. “Unë jam këtu për t’u betuar para jush, se në katër vitet që do vijnë ne do të ndërtojmë akset rrugore më të shkurtra të këtij vendi. Do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij qyteti, çdo rrugë të këtij vendi. Koha juaj është gjëja më e rëndësishme që ka Shqipëria, qeveria ime bashkë me ju do të bëjë që ju të ecni me shpejtësi dhe ta keni vendin tuaj në pëllëmbë të dorës”-tha kryeministri Berisha. Ai ka shtuar se punësimi është dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare.

“Ne kemi firmosur mbi 5.6 miliardë Euro investime për marrëveshje konçensionare, në të cilat do të punësohen me dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë. Por në katër vitet që do vijnë, në rast se ne deri më sot punësuam 80 mijë qytetarë, në katër vitet që vijnë ne do të punësojmë së paku 160 mijë shqiptarë. Janë në ndërtim e sipër dhe do të fillojë së shpejti ndërtimi i rreth 104 hidrocentraleve, do të fillojë puna në 6 parqe industriale, në dhjetëra resorte turistike, në të katër anët e vendit, në rrugë, në ujësjellësa, në kanalizime”-tha më tej kreu i qeverisë.

Berisha shtoi se industria e naftës, është industria e perspektivës së këtij vendi. “Në katër vite ne e rritëm prodhimin e naftës me 50%. Në katër vitet që vijnë unë ju garantojë se ai do të dyfishohet. Por e gjithë qeveria do të jetë e përkushtuar për zhvillimin e fshatit. Fermerëve të Patosit dhe Myzeqesë, unë ju premtojë se qeveria ime do të financojë çdo projekt të tyre për nxitjen e prodhimit, se qeveria ime do të vendos tokat e tyre nën ujë, kudo që ato ndodhen, se qeveria ime do të ndërtojë dhe rindërtojë sistemin më modern të vaditjes, në katër vitet që vijnë do të shumëfishojë grantin për fermerët shqiptarë. Ajo do të subvencionojë të gjitha inputet për të gjitha sipërfaqet e mbjella prej tyre, në të gjithë territorin e Shqipërisë”-deklaroi ai.

Gjithashtu, kryeministri Berisha tha se projekti i ullirit është një projekt tjetër i shekullit, duke nënvizuar se në katër vitet e ardhshme do të mbillen mbi 5 milion rrënjë ullinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›