E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat paraprake, dështon afati

Autori i Lajmit: Suela Topi
Dështon afati për hartimin e listave paraprake. Në bazë të ligjit, 15 ditë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, njësitë bashkiake duhet të kishin shpallur listat. Por edhe pse ka kaluar një javë nga ky afat, asnjë minibashki nuk ka publikuar listat paraprake të zgjedhësve. Mazhoranca shkarkon përgjegjësinë duke pohuar se listat do të dalin vetëm pas eliminimit të dublikateve në regjistrin themeltar të zgjedhësve dhe për këtë duhet të paktën dhe një javë, ndërsa opozita fajëson Ekzekutivin. Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr.1, Lindita Nikolla, ka pohuar se përveç dublikateve, një tjetër problem është dhe kaosi që krijon Ministria e Brendshme me vendimet e saj që anulojnë njëri-tjetrin. Ndërkohë që deputeti i LSI-së, Spartak Braho, shprehet se listat paraprake janë me vonesë si të gjitha procedurat e tjera për përgatitjen e zgjedhjeve, edhe pse për Brahon problemi kryesor i procesit zgjedhor janë kartat e identitetit. Sipas tij, do të jetë e pamundur që banorët e zonave të thella të harxhojnë lekë dhe kohë për t u pajisur me to, kur mezi nxjerrin lekët për t u ushqyer.
Afati
Me miratimin e datës së zgjedhjeve, më 14 janar, janë përcaktuar tashmë dhe afatet që kishin në dispozicion zyrat e gjendjes civile për përgatijen e listave paraprake. “Jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile, nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, dhe në zbatim të ministrit që mbulon pushtetin vendor, hartojnë listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi duke nxjerrë nga bazat e të dhënave elektronike të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile të njësisë përkatëse, të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç deri në datën për zhvillimin e zgjedhjeve”, - thuhet në pikën e parë të nenit 49 të Kodit Zgjedhor. Aty përcaktohen saktësisht dhe afatet për lajmërimin me shkrim të zgjedhësve, procedurat për ndryshimin e listave paraprake si dhe përgatitjen dhe shpalljen e listave përfundimtare. Vonesat e shpalljes së listave papraprake do të sjellin pengesa për zbatimin e gjithë procedurave të tjera që duhet të ndjekë gjendja civile. Ky shqetësim është ndier kryesisht tek vendorët. Kryetarja e Njësisë Bashkiake Nr.1 në Tiranë, Lindita Nikolla, pohon se nuk dihet se kur do të shpallen dhe kjo, sipas saj, vjen si pasojë e situatës kaotike që ka krijuar Ministria e Brendshme me njësitë vendore në kryeqytet. “Është shkelur Kodi Zgjedhor, pasi nuk kanë nisur ende procedurat ligjore për përgatitjen e listave paraprake të zgjedhësve. Është një situatë tejet kaotike, pasi çdo urdhër që vjen anulon të parin”, - shprehet Nikolla. Ajo thotë se një arsye tjetër e mospërgatitjes në kohë të këtyre listave është mospastrimi në kohë i regjistrit nga dublimet, por edhe kjo, sipas saj, nuk u është lënë në dorë njësive vendore. “Kemi përfunduar gjithë informacionin që kërkohej nga ne për heqjen e dublimeve, por ju bëj me dije edhe një herë se ne nuk kishim autoritetin për të operuar me heqjen e dublimeve. Është përsëri Ministria e Brendshme, që me informacionin e dhënë prej nesh do të bënte pastrimin e këtyre dublimeve”, - thotë Nikolla. Ndërsa zëvendëskryeministri Genc Pollo pohon se arsyeja e vetme që nuk janë gati listat paraprake është fakti se duhen ende edhe disa ditë për të zhdukur dublikatet nga regjistri themeltar, ndërsa shton se vonesat nuk janë për faj të Ministrisë. Për të justifikuar më tej vonesat, ai ka theksuar se edhe në zgjedhjet e kaluara listat janë shpallur 2 apo 3 muaj para zgjedhjeve. “Në Kodin Zgjedhor kemi dashur të realizonim një tjetër standard të demokracisë dhe kemi caktuar që listat parparake të shpallen 5 muaj para. Por listat nuk mund të shpallen pa u hequr dublikatet. Kjo është bërë në bashkëpunim mes kreut të bashkisë dhe komunës. Besoj se është konsensusi i të gjitha palëve që listat të shpallen vetëm pasi të jenë hequr dublikatet”, - ka thënë Pollo gjatë seancës plenare të ditës së hënë.

Kodi
“Jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve, zyrat e gjendjes civile hartojnë listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë qendre votimi

Afati
Presidenti i Republikës dekretoi datën e zgjedhjeve më 14 janar. Në këtë mënyrë deri në datën 29 janar duhet të jenë gati listat paraprake

Ky lajm është publikuar: 04/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›