E Diel, 1 Nëntor 2026

Listës së të prekurve me Hiv-Aids i shtohen edhe fëmijët

02/12/2009  Probleme me trajtimin, mjekët jo-korrekt, frikë në kurimin e pacientëve

Zgjerohet më tej lista e personave të prekur nga HIV–AIDS-i në vendin tonë. Ndonëse janë konfirmuar zyrtarisht rreth 359 pacientë të infektuar, shifra e të prekurve mund të jetë edhe më e lartë. Kjo për faktin se pjesa dërrmuese e pacientëve e fshehin sëmundjen e tyre për shkak të stigmës dhe diskriminimit që u bëhet në shoqëri. Dje, në Ditën Botërore Kundër SIDA-s, është pohuar zyrtarisht se numri i pacientëve të infektuar ka ardhur në rritje të konsiderueshme nga viti në vit dhe ndërmjet të infektuarve rezultojnë të jenë edhe moshat pediatrie. Vetëm gjatë 2009-s listës i janë shtuar 55 pacientë të rinj, të cilët manifestojnë shkallë të rënduar të sëmundjes. Përkundrejt kësaj situate mbetet problematike mungesa e personave të specializuar në trajtimin e këtyre pacientëve, çka sjell kamuflimin e rasteve dhe evidentimin e pacientëve të prekur vetëm në fazat tepër të rënduara, kur bëhen të dukshme dhe shenjat klinike.

Situata

Përkundrejt shtimit të rasteve të evidentuara mjekët kanë e cilësuar tepër problematike faktin e gjetjes së moshave pediatrike ndërmjet pacientëve, ku vetëm për këtë janë zbuluar dy fëmijë me këtë sëmundje, që e kanë trashëguar nga nëna e tyre. Por fatkeqësisht trajtimet nuk kanë dhënë efektet e duhura, pasi të dy të vegjlit kanë humbur jetën. Bazuar në raportet e publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se rruga më e përhapur për transmetimin e infeksionit mbetet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale. Vetëm 5 për qind e të rinjve nga mosha 15-20 vjeç përdorin masa mbrojtëse, duke treguar kështu shkallën e lartë të rrezikut të përhapjes së virusit. Në total që nga shfaqja për herë të parë të kësaj sëmundjeje në vitin 1993 në vendin tonë kanë humbur jetën rreth 67 persona. Rreth 30 për qind e rasteve rezultojnë të jenë femra dhe 21 raste janë fëmijë, të cilët janë infektuar nga nënat. Gjithashtu përhapja e virusit nuk po identifikohet vetëm te grupet e margjinalizuara, siç janë romët apo punonjësit e seksit dhe homoseksualët, por edhe në popullatën e përgjithshme.

Problemi në trajtim

Sipas një studimi të kryer në lidhje me trajtimin e kësaj kategorie, ka rezultuar se mjekët frikësohen në kurimin e pacientëve. Monitorimi vë në dukje se punonjësit e shëndetësisë raportojnë frikën e tyre që lidhet me mundësinë e ndodhjes së gabimeve aksidentale gjatë manipulimit me instrumente gjatë punës, mundësinë për shpime aksidentale si dhe gabimet që mund të ndodhin gjatë ndërhyrjeve kirurgjike, që në rastin e këtyre pacientëve janë të vështira. Nga vëzhgimet rezulton se rreth 45 për qind e personelit mjekësor raportojnë se ndryshojnë qëndrimet e tyre në çastin që ata mësojnë se kanë të bëjnë me një pacientë të infektuar me HIV. Ndryshimet e qëndrimit lidhen me pasigurinë dhe mungesën e informacionit se cilat janë veprimet për të zvogëluar apo eliminuar mundësinë e infektimit nga virusi HIV. Kjo bën që dhe shërbimet e ofruara në trajtimin e rasteve të jenë të mangëta dhe jo në nivelin e duhur. Ndërkohë barnat që shërbejnë në trajtimin e tyre mungojnë dhe nuk përfshihen në listën e rimbursimit.

Trajtimi jo korrekt

Në shumë raste trajtimi jokorrekt i stafeve mjekësore, siç përcaktohet në protokollet e mjekimit, ka sjellë rëndimin e gjendjes së pacientit deri në pasoja fatale, por nuk përjashtohen dhe rastet e neglizhimit të sëmundjes nga vetë pacientët. Në një prononcim të dhënë kryetarja e shoqatës së të prekurve me HIV–AIDS ka deklaruar se “përderisa vazhdojmë të kemi raste të vdekjeve për shkak të AIDS-it d.m.th. se AIDS-i është i fuqishëm ndaj sistemi shëndetësor shqiptar. Probleme ka në trajtimin me medikamente në ndërprerjet e herëpashershme krijohen probleme me trajtimin dhe sëmundja shfaq rezistencë ndaj ilaçeve”. Sipas saj, për shkak të mungesës së kujdesit nga stafi mjekësor ka pasur edhe humbje jete.

Rastet e prekura

359 është numri i të identifikuarve me këtë sëmundje.

55 pacientë të rinj të prekur nga ky virus janë zbuluar gjatë 2009-s.

2 fëmijë kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të HIV–AIDS-it.

90 % e të prekurve e kanë marrë sëmundjen në rrugë seksuale.

5 për qind e të prekurve e kanë marrë infeksionin nga nëna.

4 për qind e pacientëve të tjerë janë infektuar nëpërmjet gjakut.

1 për qind e kanë marrë këtë virus nga injektimi intravenoz i drogës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›