Reuters dhe Uashington Post “rrëmbejnë” çmimet “Pulitzer”
Një fotograf i agjencisë së lajmeve “Reuters” fitoi çmimin Pulitzer për imazhin e tij dramatik të një reporteri televiziv japonez të vrarë gjatë operacioneve të përgjakshme shtatorin e kaluar në Birmani. Adris Latif fitoi çmimin për fotografinë më të mirë ku pasqyroi momentin e vrasjes së gazetarit 50-vjeçar Kenxhi Nagai nga Japonia. Imazhi tregon një ushtar me papuçe që i ka drejtuar pushkën zotit Nagai, i cili është shtrirë në trotuar poshtë tij. Në komentet e tij të martën ku përshkruante momentin dramatik më 27 shtator, zoti Latif tregon se i gjithë incidenti, që tronditi botën, përfundoi brenda dy sekondash. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se rreth 31 persona u vranë në operacionet qeveritare të shtatorit. Ndërkohë, gazetës Uashington Post iu akorduan 6 çmime Pulitzer, duke përfshirë medaljen e shërbimit publik, për ekspozimin që i bëri trajtimit të pamjaftueshëm shëndetësor të disa veteranëve të plagosur në spitalin ushtarak Ualter Reed të Uashingtonit. Bordi i Çmimeve Pulitzer e bëri njoftimin të hënën, duke nderuar punën e gazetarëve Dana Prist, An Hall dhe të fotografit Mishel dy Sil. Vitin e kaluar, gazeta Uashington Post zbuloi se ushtarët e shtruar në spital qëndronin në pavione të infektuara nga myku dhe plot insekte. Sekretari i Ushtrisë, ishte ndër zyrtarët më të lartë ushtarakë që dha dorëheqjen pas ekzspozimit të skandalit. Ky është çmimi i dytë Pulitzer që i jepet gazetares Prist, e cila në vitin 2006 zbuloi se CIA kishte burgje sekrete ku mbante të dyshuar për terrorizëm në Europën Lindore.
(VOA)
9 Prill 2008