E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lituania e Polonia mbështesin proceset integruese të Kosovës

Nga Express më 01 korrik 2011 në ora 16:15

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës në Lituani, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të shteteve të ndryshme të botës, pjesëmarrës në “Komunitetin e demokracive”.

Fillimisht, Hoxhaj ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Audronius Azhubalis dhe zëvendësministrin Egidius Meilunas. Në këtë takim është diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën politike, ekonomike, të arsimit dhe kulturës.

Në takim është ngritur nevoja e nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimit tregtar.

Marrëveshja për riatdhesim, marrëveshja për kthimin e personave të dënuar dhe marrëveshja në fushën e sigurisë tashmë janë duke u negociuar mes dy shteteve dhe nënshkrimi i tyre pritet të bëhet shumë shpejt, u tha në këtë takim.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Lituanisë kanë përshëndetur progresin që ka bërë Republika e Kosovës në tre vjetët e kaluara. Ata kanë siguruar ministrin Hoxhaj se Lituania do të mbështesë fuqishëm proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe kanë mirëpritur propozimin e ministrit Hoxhaj për organizimin e një forumi ekonomik në Prishtinë mes dy shteteve, për të stimuluar edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve tona.

Gjatë kësaj vizite, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosłav Sikorski, shteti i të cilit nga sot ka marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.

Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka kërkuar nga homologu i tij mbështetjen e Polonisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe në integrimet euroatlantike.

Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me shefen e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton dhe me shumë ministra të Punëve të Jashtme dhe diplomatë të tjerë.

Gjatë këtij forumi, ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime edhe me disa ministra të jashtëm të shteteve anëtare të Ligës Arabe, Organizatës së Konferencës Islamike, shteteve nga Afrika dhe Azia dhe me ministra të shteteve që ende nuk e kanë njohur vendin tonë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›